PRISHTINË, 31 Tetor/ATSH/.- Kosova dhe Shqipëria kanë nënshkruar sot, në Prishtinë, marrëveshjen e bashkëpunimit në sektorin e bujqësisë.
Sipas KosovaPress, marrëveshja dypalëshe u nënshkrua mes Agjencisë së Bujqësisë së Kosovës që funksionon në kuadër të Ministrisë së Bujqësisë dhe Agjencisë për Zhvillim Bujqësor dhe Rural të Shqipërisë.
Sipas Suela Popa, shefe e Agjencisë së Zhvillimit Bujqësor dhe Rural në Shqipëri, kjo marrëveshje ka një rëndësi të veçantë pasi do të fuqizojë sistemet për të shkëmbyer praktika të ndryshme mes dy vendeve.
"Kjo marrëveshje do t'i shërbejë bashkëpunimit të ndërsjellë midis dy palëve për të rritur strukturat, për të fuqizuar sistemet, për të shkëmbyer ato praktika të cilat kanë rezultuar të suksesshme qoftë në Agjencinë e Kosovës qoftë në Agjencinë e Shqipërisë, por mbi të gjitha të luftojmë së bashku për të kontribuar të përshpejtojmë procesin e para aderimit në Bashkimin Evropian. Një nga sfidat kryesore me të cilat ne përballemi është zhvillimi i sektorit bujqësor dhe rural, por jo thjesht në mbështetje nga Fondet Nacionale por mbi të gjitha të jemi të aftë për thithje me sukses të fondeve të donatorëve", ka thënë Popa.
Kurse, ministri në detyrë, Blerand Stavileci tha se kjo marrëveshje po hap një etapë të re, ku duhet të gjenden format për të lidhur edhe marrëveshje të tjera.
Ai tha se përmes kësaj forme kanë krijuar mundësinë e promovimit të zhvillimit të mëtejshëm të marrëdhënieve të mira dhe përforcimit të përpjekjeve të vazhdueshme në fushën e interesave të përbashkëta lidhur me procesin e para anëtarësimit në BE dhe procesin e pas anëtarësimit, madje siç u shpreh ai këto struktura administrative janë shumë të rëndësishme.
Kjo marrëveshje ndihmon agjencitë edhe në marrjen e hapave të nevojshëm me qëllim përfitimin e mjeteve të nevojshme financiare nga buxheti i tyre kombëtar dhe marrjen e mbështetjes financiare nga resurset ndërkombëtare./m.m/