/ATSH/- Kosova dhe Shqipëria do të intensifikojnë bashkëpunimin në fushën e bujqësisë, duke e parë atë si një nga potencialet kryesore për zhvillimin e dy vendeve, u theksua sot në takimin mes ministrit kosovar të Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural, Memli Krasniqi, dhe ambasadorit të Shqipërisë në Kosovë, Qemal Minxhozi. Pritet që në ditët në vijim të organizohet një takim bilateral ndërmjet ministrit kosovar dhe homologut të tij nga Republika e Shqipërisë.

Ambasadori Minxhozi uroi ministrin Krasniqi për detyrën e re dhe rikonfirmoi gatishmërinë e qeverisë së Shqipërisë për të rritur bashkëpunimin në funksion të zhvillimit bujqësor tek të dy vendet.

Ministri Krasniqi foli për planet e Ministrisë për këtë mandat, duke treguar për investimet që do të bëhen në këtë sektor, si dhe angazhimet në fusha të tjera që lidhen me krijimin e mundësive më të mëdha për zhvillimin e bujqësisë.

"Bujqësia është një nga sektorët kryesorë për zhvillimin e vendit dhe ndër prioritetet kryesore të qeverisë. Këtë vit kemi një buxhet dyfish më të madh dhe planifikojmë që vit pas viti buxheti të rritet dhe format e mbështetjes do të avancohen", tha ministri Krasniqi. Ai shtoi se Kosova dhe Shqipëria janë partnerë strategjikë në çdo fushë dhe bashkëpunimi në fushën e bujqësisë duhet të thellohet. Ministri theksoi se të dy vendet duhet bashkërisht të punojnë në tejkalimin e sfidave në këtë sektor dhe në eliminimin e barrierave që kanë ndodhur në të kaluarën. Ministri Krasniqi foli për një axhendë të përbashkët të angazhimeve rreth këtij sektori nga të dyja vendet dhe për mundësitë e hartimit të marrëveshjeve konkrete të përbashkëta për të forcuar sektorin e bujqësisë, që ndikon në zhvillimin ekonomik dhe në krijimin e vendeve të reja të punës