Kosova do t'u ofrojë leje të përkohshme qëndrimi dhe të njohë letërnjoftimet e individëve të komunitetit serb që nuk janë të pajisur me dokumente kosovare.
Për këtë reagoi edhe kryeministri Edi Rama, i cili në rrjetin social X tha se: "Ne mirëpresim koordinimin midis Kosovës dhe BE-së mbi Ligjin për të Huajt. Shkatërrimi i strukturave paralele është punë e vështirë. Bashkimi Evropian duhet të tregojë të njëjtin guxim, të heqë masat ndëshkuese dhe të ecë përpara me aplikimin e Kosovës për anëtarësim. Një Ballkan Perëndimor plotësisht brenda BE-së nuk është bamirësi. Është fitorja strategjike e Evropës vetë."
Vendimi i qeverisë së Kosovës erdhi pasi një pjesë e serbëve në veri të vendit nuk janë pajisur me letrat kosovare sipas përcaktimit në ligjin për të huaj dhe atë për automjetet, që nisin zbatimin të dielën e 15 marsit.
Albin Kurti e njoftoi vendimin pas një takimi këtë të shtunë në Prishtinë me të dërguarin e posaçëm të Bashkimit Evropian për dialogun mes Kosovës dhe Serbisë, Peter Sorensen.
Ligjet do të hyjnë plotësisht në fuqi të dielën dhe kërkojnë që të gjithë ata që nuk kanë dokumente të Kosovës të pajisen me leje qëndrimi, ndërsa automjetet me targa të huaja nuk do të qarkullojnë në Kosovë më shumë se tre muaj pa autorizim.
Në konferencën për media me Sorensenin dhe shefin e zyrës së BE-së në Prishtinë, Aivo Orav, Kurti tha se qeveria do të vazhdojë punën për shkrirjen e plotë të sistemit arsimor e shëndetësor serb në sistemin unik të Kosovës.
E njëjta vlen edhe për studentët serbë që qëndrojnë në Kosovë për studime, për të cilët krerët komunalë do të ofrojnë listën e tyre me hollësi.
I dërguari I posaçëm I BE Sorensen tha se mirëpret angazhimin e Kosovës ndaj sundimit të ligjit dhe vendimin e saj për ta zbatuar gradualisht Ligjin për të huajt dhe atë për automjetet.
Vendimi duket se u prit mirë edhe në Beograd, ku Petar Petkoviç, Drejtori I Zyrës për Kosovën në qeverim tha se zgjidhja e arritur lidhur me zbatimin e plotë të Ligjit për të huajt do të mundësojë funksionimin e pandërprerë dhe normal të institucioneve shëndetësore dhe arsimore serbe.
Komente











