PRISHTINË, 19 Nëntor /ATSH-Behlul Jashari/- Në Kosovë, dita e sotme pritet të jetë e lëvizjeve drejt mundësive për krijimin e institucioneve të vonuara tashmë në muajin e gjashtë të pas zgjedhjeve parlamentare të parakohëshme të 8 qershorit. Paralajmërimet janë nga subjektet parlamentare të koalicioneve të para e pas zgjedhjeve. Fituesja e zgjedhjeve, PDK, partia më e madhe e koalicionit parazgjedhor, e cila, megjithatë nuk ka numrin e nevojshëm të votave për krijimin e institucioneve, është në pritje të zhvillimeve brenda koalicionit paszgjedhor, nga partia më e madhe e të cilit, LDK, janë bërë deklarata se "marrëveshja e 10 qershorit ose zbatohet në tërësi ose nuk është fare e vlefshme". Kjo parti ka kërkuar edhe ridizajnim të marrëveshjes, zbatimi i plotë i së cilës është pamundësuar nga Aktgjykimi i Gjykatës Kushtetuese të Kosovës, i 26 gushtit, i cili anuloi zgjedhjen e pas ndërprerjes së seancës të liderit të LDK-së për kryeparlamentar, edhe për faktin se të drejtën për të propozuar kryetarin e Kuvendit e ka vetëm fituesja e zgjedhjeve, PDK.
LDK ka paralajmëruar se sot në mbledhjen e Këshillit të Përgjithshëm do të vendosin të krijojnë mundësitë që, në harmoni me Vendimin e Gjykatës Kushtetuese dhe të kritereve të deklaruara nga Presidentja e Republikës dhe miqtë ndërkombëtarë, të konstituohet sa më shpejtë Kuvendi dhe të zgjedhet Qeveria e Kosovës.
Partia tjetër e koalicionit paszgjedhor, AAK, dje ka pritur në takime diplomatë të akredituar në Prishtinë, pas të cilave ka ritheksuar qëndrimet e Kryesisë të një dite më parë se, "marrëveshja e 10 qershorit nuk mund të jetë peng i veprimeve të njëanshme të cilitdo subjekt që është pjesë e Koalicionit" dhe se "përgjegjësia e tërë, për dështimin eventual të marrëveshjes bie mbi atë subjekt politik dhe mbi udhëheqësinë e tij".
Shtypi i sotëm kosovar thekson sot se, "PDK është në pritje të vendimit definitiv që mund të dalë për vazhdimin apo prishjen e marrëveshjes së koalicionit paszgjedhor para se të vendosë të thërrasë vazhdimin e seancës konstituive për zgjedhjen e kryetarit të Kuvendit".
Po sipas shtypit kosovar, "zyrtarë të PDK-së gjatë gjithë ditës së djeshme i kanë zhvilluar takimet 'tinëz' me zyrtarët e AAK-së për t'ia lidhur kryet koalicionit të ardhshëm qeveritar. Hashim Thaçi më shumë po e preferon një koalicion me LDK-në, e cila mbetet e palëkundur 'anti-Hashim'".
Por, një deklaratë sot lë të kuptohet se nuk bëhen përjashtime preraz, pasi Lidhja Demokratike e Kosovës, sipas liderit të saj, Isa Mustafa, në mbledhjen e Këshillit të Përgjithshëm, "do të ofrojë rolin e saj prijës në këtë proces dhe në qeverisjen e vendit, me mundësi të partneritetit me të gjithë ata që janë të vendosur për ndërtimin e shtetit ligjor, për zhvillim ekonomik, luftë kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar".
Duke ritheksuar "edhe një herë se institucionet e reja të Republikës së Kosovës duhet të kenë legjitimitet të fuqishëm qytetar dhe përfshirje gjithë-etnike", kryetari i PDK-së, Hashim Thaçi, mbrëmë theksonte se, "për më tepër, duhet të kemi një axhendë të qartë për zhvillimin ekonomik, krijimin e vendeve të reja të punës, vazhdimin e dialogut dhe implementimin e të gjitha marrëveshjeve të arritura deri më tani në Bruksel, funksionim efektiv të rendit dhe ligjit duke u përqendruar në luftën kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar, betejën e pakompromis kundër çfarëdo lloj ekstremizmi, si dhe vazhdimin e reformave rrënjësore për përmbushjen e kritereve për integrim në NATO dhe BE".
"Është me rëndësi të theksojmë se Partia Demokratike e Kosovës, si parti e qendrës së djathtë, për realizimin e këtyre synimeve thelbësore në interes të vendit dhe qytetarëve, do të punojë me përkushtim me partitë politike, të cilat janë të mishëruara me këto vlera dhe synime programatike", është shprehur Thaçi.
Në Kuvendin e Kosovës me 120 anëtarë secili subjekt parlamentar nga koalicioni paszgjedhor mund t'ia bëjë numrat PDK-së për zgjedhjen e kryeparlamentarit e formimin e qeverisë së re duke pasur edhe votat e deputetëve të komuniteteve pakicë, ndërsa koalicioni qeveritar më i qëndrueshëm me shumicë shqiptare do ishte koalicioni PDK me 37 deputetë dhe LDK me 30 - gjithsej 67 deputetë. Nga partitë tjera shqiptare parlamentare VV ka 16 deputetë, AAK 11 deputetë, Nisma për Kosovën 6 deputetë. Në Kuvendin e Kosovës gjithësej janë 100 deputetë shqiptarë.
Pjesë e qeverisë, sipas të drejtave të plota dhe afirmative të garantuara me Kushtetutën e Kosovës, do jenë edhe përfaqësuesit e komuniteteve pakicë, me gjithësej 20 deputetë, 10 prej tyre serbë, dhe votat e tyre në Kuvend poashtu janë të rëndësishme për krijimin e institucioneve të reja të zgjedhjeve kosovare, që ishin të pestat në liri e të dytat në pavarësi. Këto zgjedhje u vlerësuan ndërkombëtarisht një hap përpara në konsolidimin e demokracisë, por zhvillimet e paszgjedhjeve, që janë edhe një test tjetër i demokracisë, nuk e kanë nivelin e këtij vlerësimi për shkak të ngërçit politik e institucional dhe vonesave tashmë në muajin e gjashtë pa krijuar ende institucionet./k.s/