Eksperti i Sigurisë, Shemsi Prençi, është shprehur se përgjegjësia kryesore që Kosova po shkon sërish në zgjedhje të jashtëzakonshme është e opozitës dhe jo e kryeministrit Albin Kurti.
Komentet Prençi i bëri në emisionin ‘Frontline’ me gazetaren Marsela Karapanço në Report Tv, ku tha se edhe pas zgjedhjeve të reja parlamentare Kurti nuk do t’i ketë 2/3 e votave, të nevojshme për zgjedhjen e Presidentit, por sipas tij, opozita do të bindet që nuk është më në pushtet dhe do të votojë për Presidentin e ri.
“Kurti nuk do të bashkonte 66 votat, bashkë me ato 43 votat që bënin ato 3 partitë që rrinë jashtë dhe nuk përfaqësojnë popullin në Parlament. Opozita të shkonte jo me opozitën e Kurtit, por me një kandidaturë të tyren që mendonin si përbashkuese. Fajtori nuk përcaktohet me hamendësim. Duhet të shkonin me një kandidaturë të vetën. Nëse 66 votat e Kurtit nuk do të votonin për kandidaturën e opozitës, atëherë mund të thuhej se ishte faji i Kurtit. Kosova do të shkojë në zgjedhje. Kurti nuk do t’i ketë 2/3 e votave, por do të bindet opozita që ka rënë nga kali dhe nuk mund të ngrihet e të hipi në kal. Kur bie nga kali, do të presësh çfarë dore do të jepet”, tha mes të tjerash Prençi.
Prençi lakoi emrin e Ramush Haradinajt si një kandidaturë perfektë për të qenë President i Republikës së Kosovës. Kjo pasi sipas tij, Haradinaj ka dhënë kontribut familjarisht në luftën në Kosovë, por edhe në qeverisjen e vendit, gjatë kohës që ka qenë kryeministër.
“Unë nuk habitem me PDK-në, por me LDK-në dhe Ramush Haradinajn. Haradinaj ka qenë 2 herë kryeministër. Ai ka pasur në dorë më parë që ta rriste partinë, duke bashkëpunuar me qeverinë. Ka gabuar. Tani është kujtuar ai që ka gabuar. Ramushi njihet si politikan stoik, por jo një politikan që lexon përtej mureve të vështirësisë. Ramushi mund të ishte kandidaturë për President, pasi është kontributor familjarisht në luftën për çlirimin e Kosovës, por është kontributor edhe në qeverisje. Ramushi ka bërë disa reforma në qeverisjen e tij, pavarësisht se ishte parti pakicë. Ai mund të ishte një personazh përbashkues për Kosovën, edhe për krahun e luftës, por edhe për të moderuarit. Unë kam mendimin se Ramushi do të kishte qenë një kandidaturë shumë e mirë”, tha mes të tjerash Prençi.
Komente









