Kosova feston sot 12-vjetorin e Pavarësisë, 10 fakte që duhet të dini! NewBorn ndryshon 'veshje'....(Uron Shqipëria)

Sot Kosova feston 12-vjetorin e pavarësisë të shpallur më 17 shkurt të vitit 2008 dhe të njohur nga 116 shtete. Kosova do të shënojë këtë përvjetor me një qeveri të re të udhëhequr nga Albin Kurti nga Lëvizja Vetëvendosje. Për përvjetorin e 12-të do të organizohen shumë aktivitete të planifikuara në Prishtinë dhe qytete të tjera të Kosovës. Më poshtë 10 fakte rreth kësaj dite të shënuar për shqiptarët e Kosovës.

1) Pavarësia e Kosovës është shpallur me datën 17 shkurt 2008, në orën 15:39 minuta

2) Dizajnues i flamurit dhe i stemës së Kosovës: Muhamer Ibrahimi

3) Të parët që nënshkruan deklaratën e pavarësisë së Kosovës, ishin: presidenti Fatmir Sejdiu, kryetari i kuvendit, Jakup Krasniqi, si dhe kryeministri i vendit, Hashim Thaçi.

4) Shtetet e para që njohën Kosovën si shtet pas shpalljes së pavarësisë ishin: Kosta Rika, SHBA, Franca, Afganistani, Shqipëria, Turqia, Britania e Madhe etj.

5) Pergamena e vjetër 200 vjeçare në të cilën është nënshkruar deklarata e pavarësisë së Kosovës, gjendet në zyrën e kryetarit të Kuvendit.

6) Përveç pergamenës, aty gjenden edhe lapsi me të cilin vënë nënshkrimet, listat e nënshkrimeve të deputetëve pjesëmarrës seancë, si dhe flamuri i vendosur në seancën e shpalljes së pavarësisë.

7) Muzeu i Londrës ishte ai që ia fali Kosovës pergamenën për shpalljen e pavarësisë!

8) Flamujt e parë të Republikës së Kosovës ishin shtypur në Turqi.

9) Himni i Kosovës, i kompozuar nga kompozitori Mendi Mengjiqi, për herë të parë ishte intonuar në seancën e shpalljes së pavarësisë së Kosovës.

10) Yjet e bardhë në flamurin e Kosovës simbolizojnë komunitetet e ndryshme që jetojnë në Kosovë, harta e verdhë simbolizon pasurinë e Kosovës, ndërsa ngjyyra e kaltër simbolizon Evropën.

Rendit zhvillimet sipas orarit:
Ora 17:45
Presidenti Thaçi në 12 vjetorin e Pavarësisë: Është koha që FSK të pajiset me armatim modern

Presidenti i Kosovës Hashim Thaçi, si Komandant i Përgjithshëm i Forcave të Sigurisë së Kosovës, pas parakalimit të trupave ushtarake ka mbajtur një fjalim ku theksoi se tani Forcat e Sigurisë janë në etapën e rritjes dhe konsolidimit dhe se shpejt do të pajisen me armatim modern.

“Për të ardhur deri në këtë ditë, që Kosova të ketë ushtrinë e vet, është dashur shumë mund, vullnet, unitet i brendshëm dhe partneritet me ndërkombëtarët, para së gjithash dhe mbi të gjitha me SHBA’në”, ka thënë Thaci.

Presidenti tha gjithashtu se ushtria e Kosovës ka përbërje etnike e gjinore, ashtu sic e kërkon Kushtetuta dhe se “pas nisjes së transformimit të FSK’së përmes ndryshimeve ligjore një vit më parë, ushtria tash do të forcohet”.

“Tashmë në etapën e dytë, ushtria e Kosovës synon objektiva të reja drejt konsolidimit dhe forcimit të mëtutjeshme. Kuadro drejtuese, rritjen e rekrutëve të rinjë, trajnimi dhe forcimi logjistik pajisje më moderne të mundshme”, është shprehur Thaci.

Ai tha se Kosova do të kujdeset për stabilitetin rajonal, e se në të ardhmen e afërt do të jetë pjesë e Aleancës Veriatlantike.

“Kosova do të jetë prodhues i paqes, faktor i stabilitetit të rajon, bashkëpunëtor i NATO’s dhe në të ardhmen e afërt do të bëhemi pjesë e NATO’s”, ka thënë Thaçi.

Ora 16:19
Kryeministri Albin Kurti uron qytetarët e Kosovës për 12 vjetorin e Republikës (VIDEO)

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, përmes një video mesazhi ka uruar popullin e Kosovës në ditën e festimeve të 12 vjetorit të Pavarësisë.

Kurti në dedikimin e tij për këtë festë, ka thënë se Kosova sot nuk është në ditët e saj më të mira por dhe shpresa e madhe e popullit për ndryshim është detyra e qeverisë sëre dhe se pavarësia është përpjekje e vazhdueshme për të cilën duhet punuar vazhdimisht.

Ne orët e para te mëngjesit Kryeministri i vendit, Albin Kurti, ka bërë homazhe në Prekaz, në ‘kryeqytetin’ e kryengritjes e atdhedashurisë për liri e të qëndresës për të kujtuar e nderuar familjen Jashari, bashkë me kryetaren e Kuvendit, ministra dhe deputetë si dhe te varri i ish-presidenti Ibrahim Rugova

Kurti tha se “Në një ditë si kjo, ne vlerësojmë përpjekjen insistuese dhe institucionale, angazhimin politik për liri dhe pavarësi të ish presidentit Rugova”.

Ora 16:04
Festa e Pavarësisë së Kosovës, Basha: Dita e dytë më e rëndësishme e historisë sonë kombëtare

1574270566_LogoReportTVERE2.00014028.Still005.jpg

Kryetari i Partisë Demokratike Lulzim Basha ka uruar 12 Vjetorin e Pavarësisë së Kosovës.

Basha shkruan se kjo datë është dita e dytë më e rëndësishme e historisë sonë kombëtare.

Ai thekson se këto vite kanë qenë të vështira për Kosovën, kurse rruga e së ardhmes përmban mjaft sfida.

Bash ka shprehur angazhimin personal për aspiratën e përbashkët drejt integrimit.

Sipas tij Kooava dhe Shqiptëria janë bashkë në këtë rrugëtim.

Të dashur vëllezër e motra të Kosovës, në ditën e dytë më të rëndësishme të historisë sonë kombëtare, ju uroj nga zemra gëzuar përvjetorin e 12-të të shtetit të Kosovës!

Këto nuk kanë qenë vite të lehta për Kosovën, sikundër dhe rruga e së ardhmes është e mbushur me sfida. Por si përherë, jam i bindur se me pjekuri, durim, forcë e mençuri do t’i përballni me sukses të gjitha sfidat përgjatë rrugës së vështirë të shtetformimit.

Në këtë ditë kaq të bukur dhe të rëndësishme për kombin, dua të shpreh angazhimin tim se çdo ditë të jetës dhe punës time, sot në krye të opozitës e nesër në krye të qeverisjes së vendit, Kosova dhe aspirata jonë e përbashkët drejt integrimit do të jetë misioni ynë i madh.

Ne do të jemi bashkë në këtë rrugëtim, prandaj edhe më të fortë edhe më të qartë se asnjëherë më parë për të sotmen dhe të ardhmen tonë.
Gëzuar Kosovë!
”, shkruan Basha.

Ora 15:59
Sekretari amerikan i Shtetit, Mike Pompeo uron Kosovën në përvjetorin e 12-të të Pavarësisë

Sekretari amerikan i Shtetit, Mike Pompeo ka përgëzuar Kosovën në përvjetorin e 12-të të pavarësisë së saj, duke thënë se sovraniteti dhe pavarësia e Kosovës janë shumë të rëndësishme për stabilitetin e Ballkanit Perëndimor.

Në komunikatën e lëshuar nga Departamenti amerikan i Shtetit, thuhet se Shtetet e Bashkuara janë të motivuara nga ngjarjet e fundit, që janë shenjë e lehtësimit të investimeve, turizmit, tregtisë dhe lidhjeve me Serbinë.

Me këtë rast, Pompeo, duket se u është referuar marrëveshjeve të arritura mes zyrtarëve të Kosovës dhe atyre të Serbisë për vendosjen e linjave ajrore dhe atyre hekurudhore në mes të të dyja vendeve.

Nënshkrimi i marrëveshjeve është lehtësuar nga ambasadori amerikan në Berlin, Richard Grenell.

Sipas Pompeos, këto zhvillime shtrojnë rrugën për përparim më të madh në normalizim të marrëdhënieve në të ardhmen e afërt.

Sekretari amerikan ka përmendur edhe gatishmërinë e SHBA-së për të vazhduar bashkëpunimin me Kosovën.

“Për më shumë se një dekadë, të dyja shtetet kanë gëzuar lidhje të forta, të bazuara në vlera të përbashkëta. Shtetet e Bashkuara mbështesin Kosovën në rrugën drejt anëtarësimit në institucionet transatlantike dhe do të vazhdojnë të punojnë në fuqizim të sundimit të ligjit, luftim të korrupsionit dhe nxitjes së begatisë ekonomike për të gjithë qytetarët e Kosovës”, është thënë në komunikatë.

Statusi:

Në emër të populli dhe qeverisë së SHBA-së, uroj Kosovës teksa feston ditën e pavarësisë. Për më shumë se një dekadë, dy vendet tona kanë gëzuar një marrëdhënie të bazuar në vlera të përbashkëta. Sovraniteti dhe pavarësia e Kosovës mbetet kyçe për sigurinë dhe stabilitetin e Ballkanit Perëndimore.

SHBA mbështet Kosovën në rrugën drejt integrimit në institucionet euroatlantike dhe do të vazhdojë që të punojë për mbështetjen e ligjit, luftën nga korrupsionit dhe për rritjen e mirëqenies ekonomike për të gjithë qytetarët e Kosovës.

Pas zgjedhjeve të fundit dhe formimit të qeverisë, Kosova ka një mundësi të re për të përmbushur potencialin e saj të plotë, si për qytetarët e vet si dhe për marrëdhëniet me vendet fqinje. 

Jemi inkurajuar nga ndodhitë e fundit të cilat sinjalizojnë një lëvizje kundrejt lehtësimit të investimeve, turizmit, tregtisë dhe marrëdhënieve njerëzore me Serbinë, çka do të shtojë themelet për një progres të mëtejshëm në normalizimin e marrëdhënieve në të ardhmen.

I shprehim urimet më të përzemërta popullit të Kosovës dhe presim që të ndërtojmë mbi energjinë e momentit në javët dhe muajt në vazhdim

Ora 15:35
Kuvendi i Kosovës seancë plenare në ditën e 12 vjetorit të Pavarësisë

Kuvendi i Kosoves mbajti një seancë solemne për ditën e pavarësisë ku ra në sy mungesa e presidentit të republikes Hashim Thaçi.

Kryetarja e kuvendit Vjosa Osmani uroj ditëlindjen e 12 të duke thënë se sot Kosova i ofron botës vlera të shquara në art, sport, kulture e shume fusha të tjera

Osmani tha se Kosova  do ti jetë jete mirënjohëse gjithë atyre që dhanë jetën për liri dhe pavarësi si dhe gjithë bashkësisë ndërkombëtare, në vecanti SHBA, të cilët kontribuan në luftë arritjen e fitores  dhe më pas në krijimin e shtetit të ri. Ajo bëri thirje që diversiteti i mendimeve dhe qëndrimeve politike të jetë shtysë për kohezion kombëtar dhe thelbi i vlerave të përbashkëta dhe se të gjithë duhet të zotohen se do të mbrojne cdo pëllëmbë të Kosovës dhe për pacënueshmërine e integritetit territorial dhe sovranitetit.

Ora 14:15
Ruçi letër Osmanit: Sfidat e vendit të përballohen me ndihmën e aleatëve...pavarësia rezultat i mbështetjes së tyre

Me rastin e 12-vjetorit të Pavarësisë së Republikës së Kosovës, Kryetari i Kuvendit, Gramoz Ruçi, i ka dërguar një letër urimi Kryetares së Kuvendit të Kosovës, Vjosa Osmani.

“Ju uroj nga zemra këtë ditë të shënuar për Kosovën, Shqipërinë dhe të gjithë shqiptarët. Pavarësia e Republikës së Kosovës është realizimi i aspiratave të vëllezërve kosovarë për të pasur shtetin e tyre demokratik, për të vendosur për të ardhmen e vet dhe për të kontribuar në zhvillimin,  mirëqenien, paqen dhe sigurinë e Republikës së tyre dhe në rajon e më gjerë.

Pavarësia e Republikës së Kosovës u arrit me luftën e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, sakrificat e qytetarëve si edhe jetët e mijra dëshmorëve të saj, të cilët shqiptarët, kudo ku jetojnë, do t’i kujtojnë e nderojnë përjetësisht. Pavarësia e Republikës së Kosovës është rezultat edhe i mbështetjes së pashembullt të aleatëve të mëdhenj të Kosovës dhe të të gjithë shqiptarëve, Shteteve të Bashkuara të Amerikës, NATO-s dhe Bashkimit Europian. Lufta për pavarësinë e Kosovës ishte një luftë unike për të mbrojtur vlerat dhe për të sjellë e garantuar paqen në Kosovë e në rajon.

Të gjithë shqiptarët u jemi mirënjohës aleatëve tanë strategjikë për çlirimin dhe pavarësinë e Kosovës dhe kjo mirënjohje shprehet e konkretizohet në bashkëpunimin e partneritetin e ngushtë me Shtetet e Bashkuara të Amerikës, NATO-n dhe Bashkimin Europian në përballimin e sfidave të zhvillimit dhe të së ardhmes së Republikës së Kosovës si edhe paqes, sigurisë e stabilitetit në rajon.”, shkruan në mesazhin e tij të urimit, Kryetari i Kuvendit, Gramoz Ruçi.

Ora 10:59
'NEWBORN' ndryshon pamje në 12 vjetorin e Pavarësisë së Kosovës

Pamja e monumentit “NEWBORN”, e cila ndryshon çdo 17 shkurt duke përçuar mesazhe për Ditën e Pavarësisë së Kosovës, këtë vit i kushtohet viktimave të abuzimit seksual gjatë konflikteve anembanë botës.

Në ditën e 12 vjetorit të Pavarësisë, ideatori i obeliskut, Fisnik Ismaili, ka publikuar fotografi se si duket sot simboli i rilindjes së shtetit më të ri në Europë

Ora 10:38
Albin Kurti shkon për homazhe te varri i Ibrahim Rugovës 14 vjet pas vdekjes së ish presidentit

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti ka bërë homazhe te varri i ish-presidenti Ibrahim Rugova në 12 vjetorin e shpalljes së pavarësisë së Kosovës.

Kurti që në homazhe ishte i shoqëruar nga krye parlamentarja Vjosa Osmani tha para mediave se e vlerëson angazhimin politik për liri dhe pavarësi të ish-presidentit.

“Si kryeministër i Republikës së Kosovës sot teksa shënojmë dhe festojmë përvjetorin e 12 të shpalljes së pavarësisë kujtojmë presidentin e parë të Kosovës, dr. Ibrahim Rugovën të zgjedhur me votë popullore me 24 maj të vitit 1992. Një dekadë më vonë më 4 mars të vitit 2002 në Kuvendin e Kosovës, dr. Ibrahim Rugova rizgjidhet përsëri president, president i parë në Kosovën e çliruar. Në një ditë si kjo në vlerësojmë përpjekjen insistuese dhe institucionale, angazhimin politik për liri dhe pavarësi. U prehtë i qetë dhe në paqe”, ka deklaruar Kurti.

Kjo është hera e parë që Albin Kurti ka bërë homazhe para varrit të ish-presidentit.

Ora 10:02
Kryemadhi: Gëzuar Ditën e Pavarësisë Kosovë, martirja e përgjakur në Evropën e kohëve moderne

Një urim për Kosovën e Pavarur ka pasur edhe kryetarja e Lëvizjes Socialiste për Integrim, Monika Kryemadhi. Ajo bën një analizë të përgjithshme të këtyre 12 vite pavarësi, që për Kryemadhin janë shumë në jetën e një shteti, të shoqëruara me shumë luftë e përpjekje dhe sakrifica. teksa e quan, martirja e përgjakur në Evropën e kohëve moderne, Kryemadhi uron në emër të LSI-së Kosovën 12 vjet shtet.

"Gëzuar Ditën e Pavarësisë Kosova jonë e dashur, martirja e përgjakur në Evropën e kohëve moderne, ëndrra e realizuar e të rënëve për liri!

12-vjetori i Pavarësisë së Republikës së Kosovës, më jep rastin fatlum që në emër të Lëvizjes Socialiste për Integrim, të uroj me gjithë zemër motrat dhe vëllezërit shqiptarë, e bashkë me ta edhe të gjithë qytetarët e tjerë të Kosovës për ketë ngjarje të shënuar, e njëkohësisht të shpreh bindjen time të palëkundur se kjo ditë e veçantë, do të gjenerojë më shumë energji dhe besim, më shumë përkushtim dhe vendosmëri, për të punuar pa u lodhur asnjëherë për Kosovën europiane. 12 vjet në jetën e një vendi nuk janë shumë, por 12 vjet të shtetit të pavarur të Kosovës, kanë shënuar arritje me përmasa epokale po të kemi parasysh se sa shumë luftë e përpjekje, sa shumë sakrifica dhe privacione janë dashur të përballohen.

Ndaj, është e natyrshme që sot një nderim i veçantë të shkojë për të gjithë ata djem dhe vajza, për të gjithë ata luftëtarë të lirisë që i dhanë Kosovës, lirisë e pavarësisë së saj, jetën e tyre. Gjithashtu dua të shpreh mirënjohjen e thellë ndaj Shteteve te Bashkuara te Amerikës, Britanisë së Madhe, Gjermanisë, që ishin krah Kosovës si në ditët e luftës së përgjakshme, ashtu edhe në procesin politik për shpalljen e pavarësisë së saj. Kosova është amaneti i shenjtë i gjakut të të rënëve, por po aq është edhe ëndrra e bukur e djemve dhe vajzave të saj, ndaj përparimi dhe mirëqenia, prosperiteti dhe zhvillimi i pandalshëm, do ta bëjnë Kosovën edhe më të fortë, edhe më të begatë, edhe më europiane.

Edhe një herë: Gëzuar Ditën e Pavarësisë Kosova jonë e dashur", shkruan Kryemadhi.

Ora 09:44
12 vjet pavarësi/ Meta letër Thaçit: Kam besim te dialogu me Serbinë

Presidenti Ilir Meta i ka dërguar një letër presidentit të Kosovës Hashim Thaçi për 12-vjetorin e pavarësisë. Në letrën e tij, kreu i shtetit ka përcjellë urimet e tij, e ndërsa vë thekin tek forcimi i marrëdhënieve mes dy vendeve.

"Në emrin tim dhe të gjithë qytetarëve të Republikës së Shqipërisë ju përcjell urimet më të përzemërta për Ditën e Pavarësisë së Republikës së Kosovës! Kosova ka hyrë tashmë në dekadën e dytë të saj si shtet i pavarur dhe sovran, me një demokraci edhe më të gjallë e dinamike.

Kjo etapë e re e konsolidimit të shtetit të Kosovës jam i sigurt se do të shoqërohet me një hov të ri edhe në marrëdhëniet vllazërore dhe bashkëpunimin ndërmjet nesh, në përçim të vlerave më të mira kombëtare dhe europiane.

Uroj që përpara sfidave të tjera aspak të lehta, në Kosovë të mbizotërojë uniteti përreth objektivit strategjik për integrimin europian dhe euro-atlantik si dhe njohjen e mëtejshme në arenën ndërkombëtare. Unë do të vazhdoj të jem përkrah jush në këtë rrugëtim që kërkon përkushtim dhe punë të palodhur të të gjitha institucioneve të Kosovës.

Njokësisht, kam besim se përfaqësimi i njëzëshëm i Kosovës dhe koordinimi me partnerët strategjikë do të mundësojnë edhe finalizimin e suksesshëm të dialogut të ndërmjetësuar me Serbinë, për normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet të dy vendeve përmes një marrëveshjeje që njeh pavarësinë, sovranitetin dhe integritetin e pakthyeshëm territorial të Republikës së Kosovës.

Me urimet më të sinqerta për zhvillimin dhe përparimin e mëtejshëm të Kosovës, dhe dëshirën e forcimit të marrëdhënieve tona vllazërore në të gjitha rrafshet, ju lutem pranoni, Zoti President, shprehjen e konsideratës sime më të lartë", shkruan Meta.

 

Ora 08:26
Pavarësia e Kosovës, Rama: I përjetshëm kujtimi i atyre që dhanë jetën për këtë ditë

Kryeministri Edi Rama ka uruar Kosovën për 12-vjetorin e Pavarësisë. "Urime ditën e bekuar të pavarësisë së Kosovës të gjithë shqiptarëve kudo që ndodhen dhe i përjetshëm qoftë kujtimi i atyre që dhanë jetën për këtë ditë" shkruan Rama.

/r.k./Shqiptarja.com
Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

Komente

  • Sondazhi i ditës:

    Si ka qene per ju viti 2024?



×

Lajmi i fundit

Mandati i Xhaçkës, Rama flet për VOA-n: Venecia foli qartë! Deputetëve nuk iu imponohet si të ngrenë dorën

Mandati i Xhaçkës, Rama flet për VOA-n: Venecia foli qartë! Deputetëve nuk iu imponohet si të ngrenë dorën