PRISHTINË - Kosova siguroi një fitore bindëse 3-0 ndaj Andorrës në ndeshjen miqësore të zhvilluar të dielën në stadiumin “Fadil Vokrri”, duke dhuruar një paraqitje dominuese para tifozëve të saj.
“Dardanët” kontrolluan lojën që nga minuta e parë, duke krijuar vazhdimisht raste për shënim dhe duke mos lënë asnjëherë hapësirë për dyshime rreth fituesit të takimit. Në anën tjetër, Andorra u fokusua kryesisht në fazën mbrojtëse dhe në ndërhyrje të ashpra, të cilat shpesh shkaktuan tension në fushë.
Epërsia e Kosovës erdhi në minutën e 41-të. Pas një goditjeje dënimi të ekzekutuar nga Fisnik Asllani, topi goditi fillimisht shtyllën, më pas portierin kundërshtar Alvarez dhe përfundoi në rrjetë për rezultatin 1-0.
Në pjesën e dytë, skuadra e drejtuar nga Franco Foda vazhdoi me të njëjtin ritëm. Në minutën e 53-të, Albion Rrahmani fitoi një penallti dhe më pas e konkretizoi vetë me sukses nga pika e bardhë, duke dyfishuar avantazhin e Kosovës.
Presioni i vazhdueshëm i ekipit të Fodës solli edhe golin e tretë në minutën e 78-të. Mesfushori Valmir Matoshi shënoi për 3-0, duke realizuar golin e tij të parë me fanellën e Kosovës dhe duke vulosur fitoren e merituar të “Dardanëve”.
Futbollistët e Kosovës ia dedikuan golat lojtarit të ndjerë Fatjon Bunjaku, i cili u nda nga jeta të dielën në moshën 22-vjeçare pas një aksidenti automobilistik.
Komente








