Kosova kërkon anëtarësim në IFACCA


PRISHTINË, 5 Dhjetor/ATSH/- Ministri kosovar i Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Memli Krasniqi i ka dërguar sot letër Federatës Ndërkombëtare të Këshillave të Arteve dhe Agjencive Kulturore (IFACCA), përmes së cilës ka kërkuar që Kosova të anëtarësohet në këtë organizatë.
Ministria e Kulturës e Kosovës në njoftimin e dërguar thekson se, IFACCA është një rrjet global i Këshillave dhe Ministrive të Kulturës nga mbarë bota dhe është themeluar para 13 vjetësh. Synim kryesor ka përmirësimin e kapaciteteve të agjencive financuese të kulturës, mbështetjen për artistët, ndërtimin e një rrjeti të bashkëpunimit në fushën e kulturës, promovimin e diversitetit, etj.
"Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sporteve e Republikës së Kosovës e konsideron kulturën si një mekanizëm për të ndikuar në zhvillimin demokratik të vendit, si dhe një mjet për riafirmimin e identitetit kulturor të Kosovës. Në këtë kontekst, promovimi i dialogut ndërkulturor mbetet një prioritet për MKRS. Debati për politikat ndërkombëtare dhe dialogu janë të rëndësishme për komunitetet artistike dhe kulturore të vendit tonë, dhe ne vazhdimisht përpiqemi për të krijuar më shumë mundësi në këtë drejtim", thuhet në letër.
"Besojmë se duke u bërë anëtar i IFACCA ne do të avancojmë vendin e Kosovës në artin dhe kulturën rajonale dhe ndërkombëtare", shkruan ministri Krasniqi në letrën drejtuar drejtoreshës ekzekutive të IFACCA-s, Sarah Gardner.
IFACCA ka 131 anëtarë duke përfshirë ministritë e Kulturës nga shumica e vendeve të botës si dhe këshilla e organizata të rëndësishme kulturore nga vende të ndryshme./b.j//m.m/

/Shqiptarja.com
  • Sondazhi i ditës: 13 Janar, 10:25

    Nisi regjistrimi, a do të marrë pjesë masivisht në zgjedhje diaspora?



×

Lajmi i fundit

NJË NGA NE/ Artizania fierake rikthen veshjen myzeqare: Duhet mbrojtur nga UNESCO