PRISHTINË, 15 Korrik /ATSH-B.Jashari/ -Në Muzeun e Kosovës, Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, ne bashkepunim me Ambasadën e Mbretërisë së Bashkuar në Prishtinë, organizuan sot ceremoninë e lancimit të Databazës së Trashëgimisë Kulturore të Kosovës.
"Sot kemi përuruar databazën e trashëgimisë kulturore, në bashkëpunim me partnerë të huaj e cila përmban të gjitha monumentet kulturore të Kosovës dhe do të shërbejë për të përmirësuar administrimin, mirëmbajtjen, restaurimin dhe promovimin e tyre. Ajo do të shërbejë gjithashtu si arkiv i pasurisë sonë kulturore për qëllime shkencore dhe edukative", u shpreh kryeministri kosovar Hashim Thaçi.
"Ky projekt është shembull i mirë i zbatimit të një ndër prioriteteve të qeverisjes sime, gjegjësisht Qeverisjes Elektronike. Ne do të përdorim gjithnjë e më shumë teknologjinë e lartë për të ngritur cilësinë dhe efikasitetin e shërbimeve publike dhe rritur transparencën", shkruan ai në Facebook. /gj.m//a.ke/