Kosova mund të përfundojë e vetmja në rajon pa qasje në gaz

Kosova mund të përfundojë e vetmja në rajon pa qasje në gaz

Një punëtor tërheq një litar teksa në Shqipëri arritën tubacionet e gazsjellësit TAP

Ditë më parë Qeveria e Kosovës tha se për momentin nuk është e interesuar për ndërtimin e rrjetit të gazit që do të lidhte Kosovën me Maqedoninë e Veriut. Refuzimi që qeveria ia bëri këtij projekti nxiti debat në Kosovë pasi partitë opozitare thanë se po refuzohet një projekt amerikan me interes strategjik për vendin.

Projekti për ndërtimin e infrastrukturës së gazit me Maqedoninë e Veriut, sipas Qeverisë së Kosovës parashihej të bëhej me mbështetje të agjencisë amerikane, Korporatës së Sfidave të Mijëvjeçarit (MCC), me kredi nga Banka Evropiane për Rindërtim dhe Zhvillim (BERZH) si dhe nga Korniza e Investimeve për Ballkanin Perëndimor (WBIF).

Kostoja e ndërtimit të këtij rrjeti të gazsjellësit si dhe një termocentrali për prodhim të energjisë nga gazi, sipas qeverisë, parashihej të kushtonte rreth 600 milionë euro.

Edhe pse Kosova nuk është e përfshirë në ndonjë projekt tjetër të gazit, qeveria tha se ndërtimi i këtij projekti nuk ishte ekonomikisht i favorshëm, kështu që vendosi të tërhiqej.

Çfarë refuzoi Kosova?

Një prej sfidave të shumë qeverive evropiane në vitet e ardhshme parashihet të jetë siguria energjetike si dhe qasja në sa më shumë burime të energjisë. Për këtë arsye në vitin 2003, kishte marrë mbështetje ndërtimi i një projekti të rrjetit të gazit natyror, i njohur si Gazsjellësi Trans-Adriatik (TAP).

Ndërtimi i projektit të TAP-it filloi në vitin 2016. Tubacionet e gazsjellësit nisin në fushën Shah Deniz II në Azerbajxhan, kalojnë në veri të Greqisë, më pas një pjesë të konsiderueshme të territorit të Shqipërisë nga ku futen nën Detin Adriatik për të dalë sërish në sipërfaqe në jug të Italisë.

Aty, tubacionet e gazsjellësit TAP lidhen me rrjetin italian të gazit natyror. Nga pika ku fillon në Azerbajxhan e deri në Itali, tubacionet e gazsjellësit TAP, përshkojnë afër 3,000 kilometra rrugë.

Për herë të parë në fund të vitit 2020, pas shumë përgatitjeve dhe testimeve, në tubacionet e TAP-it, filloi të rrjedhë gazi i lëngshëm e që arriti në Itali në fillim të muajit janar. Ky projekt kishte marrë mbështetje të madhe nga institucionet e Bashkimit Evropian duke e cilësuar atë si “projekt i interesave të përbashkëta”.

Institucionet evropiane mbështesin Gazsjellësin Trans-Adriatik pasi e shohin atë si një mundësi reale për të përmirësuar sigurinë energjetike dhe për të diversifikuar me gaz tregjet evropian, që kryesisht dominohen nga gazi rus.

Rusia mbulon mbi 43 për qind të tregut evropian të gazit.

Përveç kësaj, një nga objektivat e BE-së është që të reduktojë në maksimum ndotjen nga emetimet të karbonit nga termocentralet prej thëngjilli dhe format e tjera të ndotjes së mjedisit.

Gazi natyror konsiderohet një nga lëndët djegëse më të pastra me emetim minimal të ndotjes.

Gazsjellësi TAP në të ardhmen pritet të furnizojë me gaz natyror edhe shtetet e rajonit, përfshirë Maqedoninë e Veriut, që tashmë ka nënshkruar një marrëveshje me Greqinë për ndërtimin e një objekti grumbullues të gazit.

Më vonë, Shqipëria pritet të kyçet, vend që tashmë ka kryer studimet e fizibilitetit dhe po punon në ndërtimin e rrjetit të gazit brenda shtetit.

Pas shtrirjes së gypave të gazit në Maqedoni të Veriut, qeveritë e kaluara në Kosovë kishin planifikuar që të ndërtonin rrjetin e gazsjellësit për t’u lidhur me këtë shtet.

Kjo do t’i mundësonte Kosovës që të blinte sasi të gazit në të ardhmen nga Gazsjellësi Trans-Adriatik.

Për të mos qenë krejtësisht e varur nga gazi rus, Bullgaria nisi ndërtimin e infrastrukturë së gazit në distancë prej 182 kilometrash në drejtim të Greqisë. Projekti ishte paraparë të përfundonte në fund të vitit 2020, mirëpo ka pasur vonesa dhe pritet të jetë funksional në qershor të vitit 2022.

Serbia është krejtësisht e varur nga gazi rus dhe së fundi presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, zyrtarisht përuroi një linjë të re të gazit rus që kalon përmes Turqisë dhe Bullgarisë e që për qëllim ka “sjelljen e më shumë gaz rus në Ballkan”.

Këtë, Serbia e bëri në kundërshtim me rekomandimin amerikan që të ulë varësinë nga gazi rus.

Çfarë do të përfitonte Kosova sipas ekspertëve nga rajoni?

Për atë se çfarë do të përfitonte Kosova në rast se do të kyçej në gazsjellësin TAP përmes Maqedonisë së Veriut, Radio Evropa e Lirë ka biseduar me profesorin e Fakultetit të Makinerisë në Shkup, Konstantin Dimitrov.

Dimitrov, që njëherësh drejton edhe Qendrën për Efikasitet të Energjetik, thotë se për Kosovën do të ishte e rëndësishme që të lidhej me gazsjellësin TAP.

Përfitimet sipas tij do të ishin energjia më e lirë dhe ndotje më e ulët.

“Është mundësi unike. Termocentralet me gaz funksionojnë me efikasitet më të lartë, me më pak emetim të ndotësve dhe rezultati është energji më e lirë”, thotë Dimitrov për Radion Evropa e Lirë.

Profesori Dimitrov thotë se nga gazi përfitojnë shumë sektorë.

 “Në rend të parë prodhimi i energjisë elektrike gjatë periudhës së tranzicionit nga thëngjilli në shoqëri të gjelbër (shoqëri pa lëndë djegëse fosile). Në rend të dytë industria, dhe në vendin e tretë, por shumë e rëndësishme, amvisëritë”, shprehet ai.

Dimitrov thotë se refuzimi i Kosovës për të ndërtuar infrastrukturën për gazsjellësin me Maqedoninë e Veriut mund të lidhet edhe interesa të tjera, siç është ajo e ndërtimit të një infrastrukture gazi për t’u lidhur me Shqipërinë.

Shqipëria, përveç tubacioneve të Gazsjellësit Trans-Adriatik, ka edhe projekte të tjera të gazit, një prej tyre që parashihet të lidhë Malin e Zi, Bosnje e Hercegovinën dhe partnerin kryesor në këtë projekt, Kroacinë.

Ky projekt njihet si Gazsjellësi Adriatiko-Jonian (IAP) dhe do të ketë gjatësi prej 516 kilometra. Fillon në Qytetin e Fierit në Shqipëri, ku lidhet me gazsjellësin TAP, dhe përfundon në qytetin e Splitit në Kroaci, prej nga parashihet që gazi të shkojë për në vendet e tjera evropiane.

A është e mundur lidhja e Kosovës me TAP-in përmes Shqipërisë?

Geri Selenica që drejton Qendrën Shqiptare të Studimeve Strategjike, thotë për Radion Evropa e Lirë se Kosova ka vendosur drejt kur ka refuzuar projektin për ndërtimin e gazsjellësit me Maqedoninë e Veriut.

Ai thotë se zgjidhja më e mirë strategjike do të duhej të ishte lidhja e Kosovës në gazsjellësin TAP përmes Shqipërisë.

“Strategjike për neve është që gazsjellësi TAP që ka ardhur këtu (në Shqipëri), të lidhet, është projekti Alkogas, të cilin ka financuar BE-ja. Është i bërë gati studimi i parafizibilitetit dhe le të lidhet me Kosovën dhe aq me tepër më vonë Shqipëria dhe do të prodhojë gazin e vet dhe Kosova mund të prodhojë gazin e vet. Mund të vije teknologjia që të bëhet “syngas” (gaz i prodhuar artificialisht)”, thotë Selenica.

Sipas Selenicës, mosbërja e gazsjellësit nga Maqedonia e Veriut nuk ka kurrfarë lidhje me cenimin e interesave amerikane.

“Nuk është fare projekt amerikan. Ai është një projekt që lobi grek e ka sponsorizuar në Departamentin e Energjisë në Amerikë, që eja tani ta mbledhim gazin prej Greqisë dhe të furnizojmë të gjithë Ballkanin”, thotë Selenica.

Për çfarë përdoret gazi natyror?

Gazi i lëngshëm natyror përdoret në industri të ndryshme. Sektori tregtar përdor gazin natyror për të ngrohur ndërtesat dhe ujin, për të gatuar, për të tharë rrobat dhe për të siguruar ndriçim të jashtëm. Në disa sektorë e përdorin gazin natyror si lëndë djegëse në sistemet e kombinuara të ngrohjes dhe energjisë. Gazi po ashtu është primar në shumë vende, që përmes termocentraleve, prodhojnë energji elektrike.

Për shembull, në Gjermani, aktualisht shumica e gazit përdoret në sektorin industrial si për furnizim me energji dhe ngrohje, ose në procese kimike, pasuar nga familjet private duke përfshirë ngrohje dhe gatim.

Kush, sa prodhon energji nga gazi?

Shtetet nëpër të cilat kalon gazi i lëngshëm natyror përmes Gazsjellësit Trans-Adriatik përdorin gazin në sektorë të ndryshëm. Azerbajxhani, prej nga vjen ky gaz, rreth 70 për qind të energjisë e prodhon nga gazi natyror. Rreth 50 për qind e energjisë në Turqi prodhohet nga gazi natyror, 28 për qind nga thëngjilli, 19 për qind nga hidrocentralet, 3 për qind nga karburante të lëngshme si dhe pjesa e mbetur nga burimet e ripërtërishme.

Greqia prodhon rreth 40 për qind të energjisë nga gazi natyror.

Në Shqipëri, pjesa më e madhe e energjisë prodhohet nga hidrocentralet, ndërkohë që në Maqedoni të Veriut pjesë dërmuese prodhohet nga thëngjilli. Ndërsa në Itali, më shumë se 30 për qind e energjisë prodhohet nga djegia e gazit natyror.

Si e arsyetoi qeveria tërheqjen?

Ministrja e Ekonomisë së Kosovës, Artane Rizvanolli shpjegoi disa prej arsyeve se pse nuk ishte në interes të Kosovës ndërtimi i rrjetit të gazit me Maqedoninë e Veriut.

Ndër arsyet kryesore, sipas saj, ishte fakti se ekspertët vendorë e ndërkombëtarë kishin vlerësuar se përdorimi i gazit për prodhimin e energjisë për kërkesë bazë, nuk është ekonomikisht i favorshëm.

Në rast se do të vendosej ndërtimi i një termocentrali për prodhimin e energjisë nga gazi, atëherë sipas Qeverisë së Kosovës, prodhimi i një megavati të energjisë elektrike do të kushte 40 euro e që i bije rreth 30 për qind më shtrenjtë sesa çmimi aktual. Korporata Energjetike e Kosovës për momentin e prodhon një megavat me një çmim rreth 30 euro.

Sipas ministres Rizvanolli, sikur të përdorej gazi për prodhim të energjisë, në fund do të rritej për dy herë më shumë çmimi i energjisë elektrike për konsumatorët.

Qeveria e Kosovës tha se pas takimit me disa prej investitorëve, shumë prej tyre nuk ishin të interesuar që të investonin më në këtë projekt, e të tjerë kishin vendosur kushte të pafavorshme për Kosovën./ Evropa e Lirë

K.T./Shqiptarja.com
Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

  • Sondazhi i ditës:
    23 Dhjetor, 23:33

    Opozita proteston duke paralizuar 3 orë Tiranën, si e vlerësoni?



×

Lajmi i fundit

Sondazhi i Tiranës, PS i qëndron 18 mandateve, zbret PD me 4 deputetë! Surprizë partitë e reja me 8 mandate, fundoset PL-ja

Sondazhi i Tiranës, PS i qëndron 18 mandateve, zbret PD me 4 deputetë! Surprizë partitë e reja me 8 mandate, fundoset PL-ja