Javën e ardhshme, Kosova do të prezantohet në Bienalen e Venedikut.
Flaka Haliti do të jetë artistja e dytë që përfaqëson Kosovën në edicionin e 56-të të Bienales së Venedikut, që do të zhvillohet nga 8 maj deri më 22 nëntor të këtij viti.
Sipas "kosovalive360", për ta përfaqësuar Pavionin e Kosovës në Bienalen e Venedikut, artistja Flaka Haliti ka krijuar një instalacion që është përqendruar në një lokacion specifik, që reflekton mbi kuptimin e kufijve, demokracisë, lirisë dhe mobilitetit. Ekspozita e Pavionit të Kosovës do hapet më 6 maj, me kurator Nicolaus Schafhausen dhe Katharina Schendl.
"Speculating on the Blue" përbëhet nga skeletet të objekteve që duken si barriera që zënë hapësirën e ekspozitës, aludojnë në estetikën e mureve të betonit, që ngrihen në mes të kombeve dhe rajoneve si një materializim i konfliktit. Instalacioni ka për qëllim de-militarizimin dhe de-kontekstualizmin e këtij regjimi të posaçëm estetik përmes "zhveshjes" së shtyllave deri në thelbin e tyre material dhe vendosjes së tyre krahas elementeve që janë për nga natyra rezistente ndaj konceptit të kufijve.
Me "Speculating on the Blue", Flaka Haliti vendos vëzhguesin në një hapësirë të ndërmjetme që luhatet mes zgjerimit dhe izolimit, afërsisë dhe largësisë një hapësirë që hap dimensione të shumta kohore dhe si rezultat përjetohet si një punë e aktualizimit të përhershëm.
Flaka Haliti e lindur në Prishtinë, jeton në Mynih të Gjermanisë. Ekspozitat e saj më të fundit përfshijnë LUDLOW 38, Nju Jork (2015), Galeria Kombëtare e Kosovës, (2014)ë Mumok, Muzeu i artit modern në Vjenë (2014), etj. Ajo ka studiuar në Fakultetin e Arteve të Universitetit të Prishtinës, në Freie Bildende Kunst në Städelschule, Frankfurt am Main dhe aktualisht është duke bërë një doktoraturë në Programin praktikë në Akademinë e Arteve të Bukura, Vjenë. Këtë javë ajo fitoi çmimin Ars Viva2015.
Katalogu shoqërues i "Speculating on the në Blue" është projektuar nga Bardhi Haliti dhe botuar nga Sternberg Press. Ai përfshin një ese nga Vanessa Joan Müller, një bisedë mes Flaka Haliti dhe Markus Miessen dhe një parathënie nga Nikolaus Schafhausen.
/atsh/