Kosova në vitin 2020/ Lufta me pandeminë, drejtuesit e UÇK në Hagë dhe krizat e njëpasnjëshme

Kosova në vitin 2020/ Lufta me pandeminë, drejtuesit e UÇK në Hagë dhe krizat e njëpasnjëshme

Sheshi 'Skenderbeu' në Prishtinë

Viti 2020 në Kosovë, sikurse edhe në gjithë botën, ishte si asnjë tjetër. Vendi u godit nga pandemia e COVID-19 që mbizotëroi jetën e përditshme. Krahas pandemisë Kosova u përball edhe me kriza të njëpasnjëshme politike.

Në fund të vitit 2019, koronavirusi për qytetarët e Kosovës ishte një mënxyrë me të cilën po përballeshin qytetarët e një krahine në Kinë. Por vetëm dy muaj më pas virusi nuk ishte më i largët. Më 13 mars u konfirmuan rastet e para të të prekurve dhe ky ishte fillimi i një viti të gjatë, kryefjala e të cilit ishte COVID-19.

Më 15 mars qeveria shpalli gjendjen e emergjencës së shëndetit publik, ndërsa më 23 mars mbylljen e plotë të vendit, në një vendim që nxiti përplasje brenda vet koalicionit të lëvizjes Vetëvendosje dhe Lidhjes Demokratike si dhe atëherë kryeministrit Albin Kurti e tash ish-presidentit Hashim Thaçi. “Vendimi i qeverisë sot është krejtësisht anti kushtetues. Qytetarët nuk janë të detyruar të respektojnë vendimet anti kushtetuese dhe askush nuk mundet të dënoj ata për këtë, as policia e Kosovës dhe as organet e sigurisë nuk duhet të zbatojnë këtë vendim anti kushtetues të qeverisë sepse kështu edhe vet do të bëjnë vepër penale”, tha Thaçi.

“Pra, një person i cili nuk ka as autorizim të flas kështu as është fuqi për të implementuar atë që thotë praktikisht e sulmon rendin kushtetues duke thirrur në padëgjueshmëri policinë dhe organet e sigurisë mirëpo siç e keni parë edhe dje asnjë prej forcave policore nuk e ndoqi presidentin”, tha tash ish-kryeministri Kurti.

Masat për parandalimin e infektimeve u pasqyruan në gjendjen edhe ashtu të rëndë ekonomike në Kosovë dhe sektorët e goditur jo rrallë u hodhën në protesta duke kërkuar zbutje masash e rrugë të tjera për të tejkaluar situatën. Banka Qendrore si dhe institucionet financiare ndërkombëtare parashikuan rënie të ekonomisë së Kosovës 7.2 për qind për shkak të situatës së krijuar me kufizimet për pengimin e përhapjes së infektimeve.

U deshën muaj të tërë që forcat politike në vend të merren vesh për një pako rimëkëmbjeje ekonomike e cila u miratua në fillim të dhjetorit. Stina e verës shënoi një rënie të numrit të të prekurve, ndërsa vjeshta u përshkua me një valë të re infektimesh.

Kosova pret që të marrë vaksina për 20 për qind të popullatës nga programi i Organizatës Botërore të Shëndetësisë, COVAX, ndërkaq pjesën tjetër do ta blejë vetë. Zyrtarja për emergjenca në Organizatën Botërore të Shëndetësisë, Isme Humolli,thotë se procesi i vaksinimit nuk mund të filloj para stinës së pranverës. “Ne po shpresojmë si OBSH që të jetë gjysma e marsit, eventualisht fillimi i prillit. Gjasat për me fillu më herët nuk ka duke pasur parasysh sasia e vogël e vaksinave që janë në prodhim dhe kërkesave shumë të mëdha që janë në mbarë botën”, tha Humolli. Pandemia la pas vetes shumë pasoja ndërsa nuk e shmangu dot vorbullën e krizave politike në Kosovë.

KRIZË POLITIKE NË KOHË PANDEMIE

Me 3 shkurt me 66 vota parlamenti i Kosovës miratoi qeverinë e koalicionit ndërmjet lëvizjes Vetëvendosje dhe Lidhjes Demokratike të Kosovës me kryeministër Albin Kurtin, kryetar i lëvizjes Vetëvendosje, e cila doli e para në zgjedhjet e parakohshme parlamentare të 6 tetorit të vitit 2019.

Ai tha atëbotë se siguria e jashtme do të jetë përparësi e qeverisë bashkë më përgatitjet për anëtarësim në NATO si dhe lufta kundër korrupsionit dhe reformimi i sistemit drejtësisë. Ai tha se qeveria e tij do të miratojë ligjin për krimet e luftës dhe gjenocidin dhe do të përgatisë padi kundër Serbisë në Gjykatën Ndërkombëtare të Drejtësisë për krimet e luftës, ndërsa në bisedimet me Serbinë do të përfshijë çështjen e personave të zhdukur, dëmet e luftës, trashëgiminë e ish Jugosllavisë dhe njohjen e ndërsjellë. “Me Serbinë do ta kthejmë reciprocitetin e plotë tregtarë, politik dhe ekonomik. Jam i gatshëm që të udhëheq bisedimet e ardhshme me Serbinë, do të kem ekip gjithëpërfshirës për bisedime në kuptimin politik, etnik, shoqëror dhe profesional”, tha Kurti.

Opozita e atëhershme kritikoi programin dhe përbërjen e kabinetit qeveritar të Kurtit, duke vënë theksin tek qëndrimet politike të së kaluarës. “Por, nga sot, Albin dhe të gjithë ju, ne nuk do të heshtim. Jo vetëm që do të mbani përgjegjësi ti por edhe kasta jote partiake dhe qeveritare, prej sot e tutje si do të silleni, por edhe për akuzat e tuaja të deritashme nuk do të heshtet më. Dhe pikërisht sot të kërkoj që t’u tregosh qytetarëve të Kosovës për çfarë e ke këtë qeveri? Me këtë përbërje? A don me luftu Serbinë me këtë qeveri apo neve përmes Gjykatës Speciale, sepse ti dhe gjysma e kabinetit tënd të ministrave që i propozove kanë kërkuar burg për çlirimtarët e Kosovës”, tha kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës, Kadri Veseli.

“Mandatari në mënyrë të veçantë ka shumë punë, për dallim nga mandatarët e kaluar për faktin se mandatari aktual nuk ka qenë thjesht një opozitar, ka qenë më tepër se opozitar. Mandatari ynë në të kaluarën nuk e ka kursyer veprimin dhe gjuhën e opozitarizmit, ka shkuar deri në ndarje, përçarje dhe urrejtje. Është normal me qenë opozitar por duhet me ruajt minimumin e komunikimit”, tha kryetari i Nismës Socialdemokrate, Fatmir Limaj.

Qeveria e Kurti shpejt do të bëhej qeveria më jetëshkurtër në Kosovën e pasluftës. Përballja me pandeminë e COVID-19 dhe dallimet rreth qasjes së institucioneve ndaj saj u shndërruan në shkas lufte politike.

Më 18 mars Kurti, shkarkoi ministrin e Brendshëm, Agim Veliu, nga radhët e Lidhjes Demokratike të Kosovës për shkak të mospajtimeve rreth shpalljes apo jo të gjendjes së jashtëzakonshme, të cilën po e kërkonte presidenti Hashim Thaçi, por pa pajtimin e kryeministrit. Deri atë ditë Kosova kishte konfirmuar 19 raste të të prekurve me koronavirus.

Shkarkimi i tij u bë shkas që Lidhja Demokratike e Kosovës të nisë një mocion mosbesimi i cili u miratua më 25 mars.

“Qeveria e Kosovës erdhi në pushtet me besimin për ndryshim, për një momentum të ri në aspekte të zhvillimit ekonomik të vendit, sundimit të ligjit, luftës kundër korrupsionit dhe konsolidim të subjektivit ndërkombëtar të Kosovës ndërsa kryeministri Kurti për më pak se 50 ditë pune, përmes mosveprimit dhe pozicionimit jokonstruktiv në raport me partnerët në përgjithësi dhe ne veçanti më Shtetet Bashkuara, ka pamundësuar funksionimin e qeverisë”, tha kryetari i Grupit Parlamentar të Lidhjes Demokratike.

Kurti, tha se rrëzimi i qeverisë ka të bëj me pazaret ndërmjet presidentit të Kosovës dhe atij të Serbisë.

“Ky pazar presidencial e kërkon rrëzimin e qeverisë. Pazari presidencial me këtë qeveri të udhëhequr nga unë nuk bëhet, ka marr fund kjo punë. Provoi ai ta shpall gjendjen e jashtëzakonshme, pse nuk e shpalli? Shkoi në Shtëpi të Bardhë të bëj marrëveshje, pse nuk e bëri? Me mua kryeministër në këtë qeveri nuk shpallet gjendja e jashtëzakonshme pa u kriju gjendja e jashtëzakonshme dhe nuk ka marrëveshje as në Shtëpinë e Bardhë, as të gjelbër, as të kuqe për shkëmbim territorial midis Kosovës e Serbisë. Prandaj motori në prapavijë të kësaj pune është si të largohet kjo qeveri, si të spostohem unë në mënyrë që t’i hapet rruga edhe shpalljes së gjendjes së jashtëzakonshme por njëkohësisht edhe atij pazari të gatshëm për shkëmbim territorial”, tha Kurti.

Lëvizja Vetëvendosje kërkoi pas kësaj që vendi të shkojë në zgjedhje të reja, ndërsa partitë tjera u morën vesh për krijimin e një qeverie të re dhe shmangien e zgjedhjeve në kohë pandemie.

Më 30 prill Thaçi shpalli dekretin me të cilin i propozonte parlamentit të Kosovës, Avdullah Hotin nga Lidhja Demokratike për formimin e qeverisë së re të Kosovës.

“Në ditët në vijim një tjetër qeveri e re, mund të votohet në Kuvendin e Kosovës, sërish në përputhje të plotë me Kushtetutën e Kosovës dhe më rendin demokratik të Republikës sonë, duke marrë parasysh legjitimitetin e qartë nga deputetët e Kuvendit të Kosovës dhe zotimin që u dëshmua sot i shumicës së re parlamentare”, tha Thaçi.

Lëvizja Vetëvendosje e dërgoi në Gjykatën Kushtetuese dekretin e presidentit duke e akuzuar atë për shkelje të Kushtetutës së Kosovës.

Me 29 maj Gjykata Kushtetuese i dha të drejtë dekretit të presidentit dhe më 3 qershor, parlamenti miratoi me 61 vota përbërjen e qeverisë së re të koalicionit të Lidhjes Demokratike, Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Nismës Socialdemokrate dhe partive të pakicave me kryeministër Avdullah Hotin, i cili i shpalli përparësi të qeverisë së tij përballjen me pandeminë, rimëkëmbjen ekonomike dhe ripërtëritjen e marrëdhënieve me Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe aleatët tjerë perëndimor.

“Marrëveshja gjithëpërfshirëse në mes të Republikës së Kosovës dhe Serbisë do të bazohet në njohjen reciproke në mes të këtyre dy shteteve. Në këtë mënyrë do të sigurohet stabilizimi afatgjatë i Kosovës, do të mundësohet anëtarësimi në OKB dhe do të garantohen proceset integruese në aleancën Veri-Atlantike dhe në BE. Ky dialog kërkon një bashkërenditje të plotë në mes të institucioneve të vendit si dhe një unitet sa më të gjerë të mundshëm politik në vend ku roli i opozitës parlamentare është i pashmangshëm. Në dialog duhet të jemi të gjithë së bashku sepse përfundimi i suksesshëm është në interes të gjithë skenës politike dhe qytetarëve të Kosovës”, tha kryeministri Hoti.

“Ju qëllimet i keni të cekta por të rrezikshme, të thjeshta por të këqija. Ju doni të përfitoni nga një situatë e rëndë për Kosovën, që të grabisni pushtet pa fitore e pa zgjedhje ashtu siç fituat nga pandemia për ta çuar qeverinë në mocion mosbesimi. E keni perfeksionuar tani më zanatin e përfitimit nga situatat. A nuk jeni ju disa që kurrë nuk keni fituar zgjedhje por gjithmonë keni përfituar prej fitoreve të tjerëve?”, tha kryetari i Grupit Parlamentar të lëvizjes Vetëvendosje, Rexhep Selimi.

“Ideja e përfitimit me çdo kusht, çdo herë sjellë humbjen pa kusht, kjo edhe po i ndodhë sot Albin Kurtit. Kjo do t’i ndodhë edhe Avdullah Hotit i cili është kopje jo origjinale e këtij mashtrimi. Do ta bëj situatën edhe më të rënd në këtë vend. Lidhja Demokratike e Kosovës kur nuk ka qenë në pushtet gjithmonë ka ndihmuar rrënimin ndërsa kur është në pushtet kurrë nuk merr përgjegjësitë që i takojnë. Pastaj këto koalicione qoftë ky aktual qoftë ai paraprak kur dëgjon fyerjet mes tyre dha bashkimet më pas nuk mund të pyesësh, a ka mbet pak nder e moral te këta njerëz”, tha kryetari i Partisë Demokratike, Kadri Veseli.

BISEDIMET ME SERBINË

Mospajtimet rreth situatës me pandeminë ishin vetëm shkëndija që i dha fund qeverisjes së përbashkët të lëvizjes Vetëvendosje me Lidhjen Demokratike. Koalicioni u lëkund për shkak të mospajtimeve rreth procesit të bisedimeve me Serbinë dhe posaçërisht kërkesës amerikane për heqjen e tarifave ndaj mallrave serbe që Kosova i kishte vënë në nëntor të vitit 2018 duke bërë që të bllokohen bisedimet e ndërmjetësuara nga Bashkimi Evropian.

Ambasadori Richard Grenell, i dërguar i posaçëm i presidentit amerikan Donald Trump, për bisedimet Kosovë Serbi ndërmjetësoi në janar dhe në shkurt marrëveshjet për hapjen e linjës ajrore dhe për linjën hekurudhore dhe autostradën që lidhë të dyja vendet.

Ambasadori Grenell kërkoi që qeveria e re e Kurtit të heqë tarifat ndaj mallrave serbe dhe t’u hapë rrugë bisedimeve. Kryeministri Kurti vendosi që të heqë shkallë shkallë tarifat të cilat u hoqën tërësisht më 31 mars. Por ai vendosi masat e reciprocitetit ndaj Serbisë, duke nxitur reagimin e ambasadorit Grenell i cili kërkoi heqjen e të gjitha pengesave.

Lidhja Demokratike nuk ishte dakord me kryeministrin Kurti, qeveria e të cilit ra më 25 mars. Kurti u shpreh i bindur se prapa rrëzimit të qeverisë së tij qëndrojnë synimet për një proces që do të çonte në një shkëmbim territoresh ndërmjet Kosovës dhe Serbisë dhe se për këtë sipas tij kishte një pajtim ndërmjet presidentëve të të dyja vendeve, të cilët ishin takuar në Shtëpinë e Bardhë në fillim të muajit mars.

Faktikisht këtë ma ka konfirmuar edhe presidenti në takimin me të. Për dy orë e takova, dhe a e dini çka më tha: ‘Hiqe kryeministër taksën dhe shkojmë në Shtëpinë e Bardhë dhe e heqim qafe Serbinë. Këta kryeministrat tjerë janë kryeministra të emëruar, unë e ti jemi të zgjedhur nga populli’. Pra nuk është ideja me heq këtë qeveri për taksën, por me heq qeverinë e me i hap rrugë marrëveshjes. Këto pazare nuk mund të me kenë mua si bashkëpunëtor”, tha kryeministri Kurti.

Ambasadori Grenell por edhe diplomatë të tjerë amerikanë, thanë se nuk ka një marrëveshje të fshehtë dhe nuk është biseduar asnjëherë për një gjë të tillë.

Pas rënies së qeverisë Kurti, qeveria e re Hoti hoqi edhe masat e reciprocitetit ndaj Serbisë dhe Grenell paralajmëroi një takim ndërmjet Kosovës dhe Serbisë më 27 qershor në Shtëpinë e Bardhë.

Por takimi u anulua meqë tri ditë para tij Prokuroria e Specializuar me seli në Hagë njoftoi se ka ngritur akuza ndaj presidentit të Kosovës Hashim Thaçi dhe kryetarit të Partisë Demokratike të Kosovës Kadri Veseli, si të dyshuar për krime kundër njerëzimit dhe krime lufte.

Më 16 korrik, Bashkimi Evropian i cili tashmë kishte emëruar diplomatin sllovak Miroslav Lajçak si të dërguar të posaçëm për bisedimet Kosovë Serbi, organizoi takimin e parë pas më shumë se 18 muajsh ndërmjet të dyja palëve..

Një takim i ngjashëm u zhvillua edhe në muajin shtator por pa ndonjë zhvillim të rëndësishëm në procesin e normalizimit të marrëdhënieve ndërmjet palëve të cilat më 4 shtator në Shtëpinë e Bardhë në praninë e presidentit Donald Trump arritën një dakordim për normalizimin e marrëdhënieve ekonomike.

“Pas një historie të dhunshme dhe tragjike dhe vitesh negociatash të dështuara, administrata ime propozoi një mënyrë të re për të kapërcyer ndarjen, Duke u përqendruar në krijimin e vendeve të punës dhe rritjen ekonomike, të dy vendet ishin në gjendje të arrijnë një përparim të vërtetë në bashkëpunimin ekonomik për një gamë të gjerë çështjesh”, tha presidenti Trump.

“Mendoj absolutisht se ky është një moment i madh për Kosovën dhe rajonin. Unë mendoj se kemi bërë një hap të madh përpara drejt normalizimit të marrëdhënieve që duhet të çoj në njohje reciproke në mes të dy vendeve”, tha kryeministri i Kosovës, Avdullah Hoti.

“Duke folur për çështje politike ne ende nuk i kemi zgjidhur problemet tona, ende ka shumë dallime në mes nesh por ky është një hap përpara dhe unë jam edhe njëherë thellësisht mirënjohës ndaj jush dhe njerëzve tuaj që na sollën këtu me sukses”, tha presidenti serb, Aleksandër Vuçiç.

Pjesë e dakordimit ishte edhe pajtimi për vendosjen e marrëdhënieve diplomatike ndërmjet Kosovës dhe Izraelit dhe zotimi i Serbisë që ta vendos ambasadën e saj në Jerusalem.

Presidenti i zgjedhur amerikan Joe Biden tha se “ajo që kam argumentuar lidhur me Kosovën dhe Serbinë është se Kosova duhet të jetë një vend i pavarur, nuk është pjesë e Serbisë. Kam kaluar shumë kohë atje, nuk i di hollësitë e marrëveshjes por supozoj se do ta përforconte pavarësinë e Kosovës”.

GJYKATA E POSAÇME DHE AKUZAT E PARA PËR KRIME LUFTE

Ish presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, më 24 qershor ishte në rrugë e sipër për në Shtetet e Bashkuara për të marrë pjesë në një takim në Shtëpinë e Bardhë me presidentin e Serbisë, Aleksandër Vuçiç.

Rrugëtimi i tij u ndërpre nga njoftimi se prokuroria e Specializuar kishte ngritur një akuzë të pakonfirmuar ndaj tij dhe udhëheqësve të tjerë të ish Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës për krime lufte dhe krime kundër njerëzimit.

“Me drejtësinë nuk do të përballem nga kjo zyrë . nëse aktakuza konfirmohet unë menjëherë do të jap dorëheqje si president i juaj dhe do të përballem me akuzat”, tha Thaçi.

Nga 13 deri më 16 korrik ai u mor në pyetje nga prokurorët në Hagë dhe u bë një nga mbi 200 ish pjesëtarët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës që u intervistuan që nga janari i vitit 2019.

Gjykata e Posaçme e cila me emrin dhomat e specializuara vepron në Hagë, u miratua në fillim të muajit gusht të vitit 2015 nga parlamenti i Kosovës, ndërsa themelimi i saj pasoi hetimet e pretendimeve të të dërguarit të Këshillit të Evropës, Dick Martty, për përfshirjen e disa prej ish-drejtuesve të Ushtrisë Çlirimtare në krime të luftës dhe të pasluftës në Kosovë.

Në fillim të nëntorit një gjykatës i procedurës paraprake në Hagë konfirmoi akuzat për krime lufte ndaj presidentit Thaçi, kryetarit të Partisë Demokratike të Kosovës, Kadri Veseli, kryetarin e Këshillit Kombëtar të Nismës Socialdemokrate, Jakup Krasniqi dhe shefit të grupit parlamentar të lëvizjes Vetëvendosje, Rexhep Selimi.

“Ashtu, siç kam premtuar, nuk do të lejoj në asnjë rrethanë që para gjyqit të dalë presidenti i Republikës së Kosovës. Prandaj, për të mbrojtur integritetin e presidencës së Republikës së Kosovës, integritetin e shtetit të Kosovës, integritetin dhe dinjitetin e qytetarit të Kosovës , popullit të Kosovës, duke respektuar edhe partneritetin edhe me bashkësinë ndërkombëtare, unë sot jap dorëheqje nga pozita e presidentit të Republikës së Kosovës”, tha presidenti Thaçi, para se të nisej për në Hagë.

Të katër ish drejtuesit e lartë të Ushtrisë Çlirimtare akuzohen për krime lufte dhe krime kundër njerëzimit, përkatësisht për veprat përndjekje dhe burgosje, ndalim arbitrar, akte të tjera çnjerëzore, trajtim mizor, torturë, vrasje, vrasje e paligjshme dhe zhdukje me forcë të personave.

Njëri pas tjetrit në paraqitjet para gjykatës ata i hodhën poshtë këto akuza.

I pafajshëm është shprehur edhe Sali Mustafa ish pjesëtar i Ushtrisë Çlirimtare i cili u arrestua më 24 shtator nën dyshimet për krime lufte duke u bërë i arrestuari i parë që nga themelimi i Gjykatës së Posaçme. Prokuroria e ngarkon atë për veprat ndalim arbitrar, trajtim mizor, torturë dhe vrasje të paligjshme.

Në Hagë ndodhen edhe dy ish drejtuesit e Organizatës së Veteranëve të Luftës së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Hysni Gucati dhe Nasim Haradinaj, nën akuzat “për veprat penale kundër administrimit të drejtësisë”.

Të dy u arrestuan më 25 shtator, pasi që Organizata e Veteranëve të Luftës në tri raste gjatë atij muaji tha se ka marrë nga persona të panjohur mijëra dosje të Gjykatës së Posaçme, që dëshmojnë për bashkëpunim të saj me autoritetet e Beogradit dhe për siç thuhet, karakterin e saj të njëanshëm.

SËRISH ZGJEDHJE

Arrestimet nga Dhomat e Specializuara krijuan një situatë të re politike në Kosovë, duke nxitur debate nëse vendi do të bëhet me president të ri, apo të mbajë zgjedhje të parakohshme parlamentare.

Më 21 dhjetor, Gjykata Kushtetuese u dha fund mëdyshjeve. Ajo e shpalli të pavlefshëm votimin e qeverisë së Kosovës të drejtuar nga Avdullah Hoti ndërsa përcaktoi se zgjedhjet e reja parlamentare duhet të mbahen jo më larg se 40 ditë nga data e shpalljes së tyre.

Zgjedhjet e reja do të jenë të tretat brenda katër viteve në Kosovë, ku që nga shpallja e pavarësisë asnjë qeveri nuk e ka çuar deri në fund mandatin e saj./VOA

K.T./Shqiptarja.com
Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

  • Sondazhi i ditës:
    27 Nëntor, 11:43

    Si e vlerësoni vendimin e GJKKO që liroi Berishën nga arresti shtëpiak?



×

Lajmi i fundit

Ja pse 'lirimi' i Sali Berishës i gëzoi të gjithë

Ja pse 'lirimi' i Sali Berishës i gëzoi të gjithë