/ATSH/.-Presidentja e Kosovës, Atifete Jahjaga, theksoi sot se është e bindur dhe pret nga qeveria të marrë sa më parë vendimet e nevojshme që do t'i hapin rrugën formimit të Komisionit Qeveritar për verifikimin dhe njohjen e statusit për të mbijetuarat e dhunës seksuale gjatë luftës ashtu siç e parashikon edhe ligji dhe në bazë të akteve nënligjore të fillojë procesi i verifikimit dhe përfitimit të beneficioneve për të mbijetuarit, duke përmbushur kështu edhe këtë detyrim institucional që është marrë.
Gjatë fjalës në takimin e katërt të Këshillit Kombëtar për të Mbijetuarit e dhunës seksuale gjatë luftës, Jahjaga theksoi se "duhet të vazhdojmë të jemi të përkushtuar dhe vigjilent që procesi i njohjes së statusit të të mbijetuarve të dhunës seksuale gjatë luftës të mbetet një proces i denjë, i përgjegjshëm që në qendër të tij të ketë gjithmonë, në çdo hap, mirëqenien e të gjithë të mbijetuarve".
Më 20 mars të vitit të kaluar, Kuvendi i Kosovës miratoi projektligjin me të cilin njohu statusin e viktimave të dhunës seksuale gjatë luftës, hap i cili na vuri para detyrimit që të ndërtojmë një proces të denjë, të përgjegjshëm sipas standardeve më të larta ndërkombëtare për të mundësuar zbatimin e plotë të këtij ligji", theksoi ajo.
Ajo përkujtoi se para disa javësh Kosova mbushi faqet e mediave botërore me imazhet e instalacionit artistik "Mendoj për ty" të Alketa Xhafa-Mripës, imazhin e mbi 5000 fustane të varura në stadiumin e Prishtinës, të cilat flisnin për krimin mizor të kryer mbi popullatën e pafajshme të Kosovës.
"Ndërsa ne atë ditë, shënonim një ditë të shenjtë për vendin tonë, ditën e çlirimit, fustanet e ardhura nga cepa të ndryshme të vendit, nga vende të ndryshme të botës, nga Nju Jorku, nga Britania e Madhe të dhënë nga Baronesha Anelay, nga Cherie Blair, nga Rita Ora që nderuan në këtë mënyrë forcën e grave të Kosovës, dëshmuan një padrejtësi të madhe, kërkuan nga ne që të përmbushim obligimin qytetar, institucional si dhe ndërkombëtar për t'i thënë jo këtij krimi, për t'i thënë jo stigmës ndaj të mbijetuarve dhe për të vepruar me përkushtim të palëkundur për të gjetur drejtësi për to", u shpreh Jahjaga.
Me punën tonë, vijoi ajo, kemi filluar të ndryshojmë historitë e të mbijetuarave, t'jua kthejmë atyre shpresën. "Por, dua të them se na mbetet ende punë për të bërë së bashku", tha Presidentja e Kosovës.