Pas dështimit të krijimit të qeverisë nga kryeministri Albin Kurti, presidentja e Kosovës, do të mbledhë nesër liderët e partive politike në vend, vijim i përpjekjeve për formimin e një qeverie të re gati nëntë muaj pas mbajtjes së zgjedhjeve.

I ftuar në Report Tv, në një lidhje direkte për ‘Studio Live’ me gazetarin Ermal Qori ishte ish-deputeti i Partisë Demokratike të Kosovës, Hisen Berisha, i cili analizoi situatën politike në vend si tregoi për skenarët e mundshëm sesi do të vijojë procesi i formimit të qeverisë në vend.

Një ndër çështjet më problematike është ajo e hartimit dhe miratimit të buxhetit për vitin 2026, përgjegjësi kjo e qeverisë me mandat të plotë. Për këtë arsye Kosova rrezikon kolapsin dhe futjen në vitin 2026 pannjë buxhet të ri.

“Jemi në një situatë që shfaqet rreziku që Kosova të futet në vitin 2026 pa miratim të buxhetit. Problemi është të mos shkojmë në atë rrezik, të mungesës së buxhetit. Ka pasur shumë zëra se po imponohej sjellje jo komform me Kushtetutën. Një qeveri pa mandat të plotë nuk mund të miratojë buxhet.

Pritet respektimi i standardeve kushtetuese. Partia Demokratike, ka deklaruar ditën e seancës kur dështoi votimi Kurti 3, kanë thënë se nuk do të provojmë se duam të shkojmë menjëherë në zgjedhje.

Kurti do të provojë të konsumojë dhe variantin tjetër, të provojë dhe kandidatin e dytë. Glauk Konjufca po qarkullon si emër i mundshëm. Është një person që si kryesues i legjislaturës së kaluar, ka dëshmuar një korrektësi me subjektet politike. Nuk shoh mundësitë që asnjëra nga partitë të formojë qeverinë”, tha Berisha.

Ndër të tjera, Berisha thotë e Kurti dhe të tjerët po fshihen pas një standardi patriotizmi, duke thënë se nuk bëjnë koalicion me Listën Serbe. Për ish-deputetin kjo është vetëm një taktikë për të sfumuar dështimin dhe se nuk mund të pretendosh vota pa arritur marrëveshje politike me palët.

“Këta kanë vendosur një standard në emër të pseudopatriotizmit për të bërë koalicion me Listën Serbe. Kjo është për të mbuluar dështimin e tyre, nuk është arsye. Kjo është tendencë për tu fshehur për shkak të dështimit. E kanë humbur besimin e qytetarëve.

SHBA-të nuk e shohin më Kurtin si kredibil për të çuar përpara qoftë interesat kombëtare të Kosovës por as të Amerikës. Ka një alternativë, ky po përdor si shantazh ndaj subjektet politike dhe qytetare, se gjoja po mbesim kështu për shkak të opozita dhe Lista Serbe nuk po na votojnë qeverinë. Nuk mund të marrësh vota kur nuk bën marrëveshje politike”, tha Hisen Berisha.

Zgjidhje për Berishën është prezenca e një qeverie ekspertësh me detyra konkrete të përcaktuara. Miratimi i buxhetit, krijimi i një stabiliteti politik dhe përshtatja e vendit për zgjedhjet e reja, kjo është ajo çfarë ish-deputeti ‘i ngarkon’ qeverisë së ekspertëve si zgjidhja e vetme për Kosovën.