Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, njoftoi sot (25 Nëntor), se është vendosur gurthemeli për ndërtimin e një nënstacioni policor në fshatin Izvor të Zveçanit, në veri të Kosovës.
“Në objektin e ri, që presim të ndërtohet shumë shpejt, do të shërbejë policia kufitare”, shkroi ai në Facebook.
Kurti tha se javën e kaluar është vendosur edhe një gurthemel për stacionin e policisë mbi urën e lumit Bistrica, e cila ndodhet në rrugën kryesore që çon në kalimin kufitar të Jarinjës. Në këtë pikë ndodhen pjesëtarë të njësive speciale dhe të rregullta të Policia e Kosovës.
Në vendosjen e gurthemelit për ndërtimin e këtij stacioni morën pjesë ministri i Punëve të Brendshme të Kosovës, Xhelal Sveçla dhe drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Kosovës, Gazmend Hoxha. Ndërkaq, sipas një njoftimi të Qeverisë së Kosovës, projekti për këtë nënstacion kap vlerën e rreth 700 mijë eurove.
Edhe Ministri i Brendshëm, Xhelal Sveçla më 23 nëntor, gjatë vendosjes së gurthemelit për ndërtimin e stacionit në Bistricë, tha se ky “objekti i ri e modern do të jenë në shfrytëzim të pjesëtarëve të Policisë së Kosovës të cilët nga ky vend, po shërbejnë prej gati dy vjetësh në luftimin e çdo kriminaliteti, mbrojtjen e kufirit tonë e për sigurinë e përgjithshme të Republikës sonë”.
“Do të vazhdojmë pa u ndalur në ngritjen dhe forcimin e kapaciteteve tona për të përballur me sukses çdo sfidë që mund të na dalë përpara”, shtoi ai.
Nga ana tjetër, përfaqësuesit e komunitetit serb, që është shumicë në veri të Kosovës, kundërshtojnë ndërtimin e stacioneve policore ose bazave policore, me arsyetimin se ata janë të ekspozuar ndaj “presioneve dhe diskriminimit” nga ana e Policisë. Sektori civil serb ka kërkuar kohët e fundit nga komuniteti ndërkombëtar që t’i kushtojë vëmendje ankesave të qytetarëve për sjelljen e Policisë së Kosovës, duke e cilësuar atë si “joprofesionale” dhe “të politizuar”.
Drejtori i Zyrës për Kosovën në Qeverinë e Serbisë, Petar Petkoviq, e ka vlerësuar ndërtimin e stacioneve të reja si “një mjet shtesë për shtypjen dhe dëbimin e popullatës serbe”. Ai po ashtu ka deklaruar se autoritetet e Kosovës “kanë ndryshuar në mënyrë të dhunshme strukturën etnike të policisë” në veri të Kosovës, dhe ka potencuar se Marrëveshja e Brukselit parashikon që në këtë pjesë të dislokohen policë nga radhët e komunitetit serb.