PRISHTINË - Komisioni për Integrime Evropiane i Kuvendit të Kosovës, është takuar sot me një delegacion nga Njësia e Kosovës në Drejtorinë për Zgjerim në Bruksel, të kryesuar nga Cindy Van den Boogert, e cila pasi shprehu kënaqësinë e saj për konstituimin e institucioneve kosovare të dala nga zgjedhjet e qershorit të vitit të kaluar, shfaqi shpresën se ky vit për Kosovën do të jetë i mbarë sa i përket procesit të integrimeve evropiane dhe përfundimit të Marrëveshjes së Stabilizim Asociimit.
Ajo tha se sipas planit, shpresohet që MSA-ja të nënshkruhet deri në mesin e këtij viti, ndërsa për shkak të procedurave të Bashkimit Evropian, formalizimi i saj në tërësi të bëhet deri në fund të vitit, bën të ditur njoftimi dërguar nga Kuvendi i Kosovës.
Në takim u bisedua për ecurinë e deritashme të angazhimeve të institucioneve të Kosovës në përmbushjen e kritereve për liberalizim të vizave dhe Marrëveshjen e Stabilizim-Asociimit, si dhe për sfidat me të cilat vendi ynë përballet aktualisht.
Një interesim i veçantë iu kushtua valës së largimit ilegal të qytetarëve të Kosovës në drejtim të vendeve të Bashkimit Evropian, për të cilën, të dy palët ndanë shqetësimet e tyre.
Sa i përket çështjes së emigrimit të qytetarëve të Kosovës në drejtim të vendeve të BE-së, Van den Boogert tha se ky është shqetësim për të gjithë BE-në, ndërsa shprehu gatishmërinë e kësaj organizate për t'i ndihmuar institucionet e Kosovës në përgatitjen e një fushate vetëdijesuese, në funksion të parandalimit të largimit të qytetarëve. /ATSH/