Zgjedhjet lokale në Kosovë, përfundon pa incidente procesi i votimit! 19 komuna e zgjidhën sot çështjen e kryetarit, LVV-ja s’fiton askund pa balotazh

Është mbyllur pa incidente të mëdha procesi i votimit në Kosovë, ku qytetarët iu drejtuan sot kutive të votimit për të zgjedhur kryetarët e rinj dhe përbërjet e reja të asambleve komunale për 38 komunat e Kosovës. Ndërkohë rezultatet paraprake për zgjedhjet, kanë filluar të publikohen. 

Ku janë numëruar më shumë se gjysma e kutive të votimit, fituesit thuajse janë përcaktuar në 19 komuna të Kosovës. Ajo që vihet re është një rezultat i dobët i Lëvizjes Vetëvendosje. Nga rezultatet e deritashme të publikuara në webfaqen e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, Lista Serbe ka fituar nëntë komuna, Partia Demokratike e Kosovës katër, Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës tri dhe Lidhja Demokratike e Kosovës dy, kurse Lëvizja Vetëvendosje nuk ka arritur fitore të qartë në asnjë komunë në raund të parë.

Për këto zgjedhje lokale të drejt vote patën 1 885 448 persona, ndërsa kryetari i KQZ-së, Kreshnik Radoniqi ka njoftuar se deri në ora 19:00 kanë votuar 43% ose 770 mijë e 171 votues.

Ndërkohë më herët gjatë ditës së sotme, policia arrestoi 4 persona pasi akuzohen se kanë blerë votën. Mediat kosovare thonë se të arrestuar janë tre serbë dhe një shqiptar. Shqiptari i arrestuar është i dyshuar për shitje të votës ndërsa të prangosur janë edhe djali i kandidatit të listës serbe për kryetar të Kllokotit, djali i njërës prej kandidates për asamble komunale të Kllokotit po ashtu nga Lista Serbe dhe një serb tjetër.

Rendit zhvillimet sipas orarit:
Ora 22:23
Rezultatet e deritashme të zgjedhjeve në Kosovë/ 19 komuna e zgjidhën sot çështjen e kryetarit, LVV-ja s’fiton askund pa balotazh

Kur janë numëruar diku gjysma e diku mbi gjysma e fletëvotimeve, në 19 komuna të Kosovës duket se kryetari është zgjedhur qysh sot, në raundin e parë të zgjedhjeve lokale. Nga rezultatet e deritashme të publikuara në webfaqen e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, Deçani, Kaçaniku, Mitrovica e Jugut, Leposaviqi, Lipjani, Novobërda, Obiliqi, Peja, Skënderaj, Shtërpca, Suhareka, Ferizaj, Zubin Potoku, Zveçani, Hani i Elezit, Graçanica, Ranillugu, Parteshi e Mitrovicë e Veriut do ta zgjidhin çështjen e kryetarit qysh sot. Prej 19 komunave ku sipas rezultateve të deritashme nuk do të ketë balotazh, Lëvizja Vetëvendosje nuk fiton në asnjërën. Sipas këtyre rezultateve që tregojnë komunat ku s’pritet të ketë balotazh, PDK-ja prin nga partitë shqiptare. Ajo është e para në Ferizaj, Mitrovicë të Jugut, Skënderaj, Kaçanik e Han të Elezit.

LDK-ja, ndërkaq, sipas këtyre rezultateve, do të fitojë pa balotazh në Pejë e Lipjan, ndërsa AAK-ja në Deçan e Suharekë. Në 9 komunat e tjera me shumicë serbe ku do të ketë fitore pa balotazh, triumfuar të gjithë kandidatët për kryetarë nga Lista Serbe./Gazeta Ekspres

Ora 21:52
Zgjedhjet në Kosovë, LDK-ja dhe PDK-ja në avantazh, VV nuk merr rezultatin e pritur

Sipas rezultateve të para, duket se Lëvizja Vetëvendosje ka një rënie në mbështetje nga votuesit krahasuar me zgjedhjet vendore.

Sipas rezultateve të para të publikuara në shumicën e komunave të Kosovës, deri tani LDK-ja dhe PDK-ja janë në avantazh. LVV kryeson vetëm në Prishtinë me 42.76%, Prizren me 32.86% dhe Podujevë me 44.98% të votave.

Ora 21:41
Numërohen 70% të votave në Mitrovicë, kandidati i PDK prin me 20% më shumë vota se ai i VV

 

Agim Bahtiri dhe Bedri Hamza

Nga 6.38 për qind të votave në Mitrovicë të Jugut, kandidati i PDK’së për kryetar, Bedri Hamza prin me 1.044 vota ose 49.20 për qind të tyre. Ndërkaq, pasues i tij është kandidati i VV’së, Agim Bahtiri, i cili ka marrë 869 vota ose 40,95 për qind. Armend Agolli i LDK’së radhitet i treti me 209 vota ose 9,85 për qind.

Ora 20:48
Zgjedhjet lokale në Kosovë, dalin rezultatet e para në Prishtinë, Gjakovë, Lipjan, Podujevë e Vushtri

Ndërsa numërimi i votave vijon, kanë dalë edhe rezultatet nga numërimi i kutive të para në disa komuna në Kosovë. Në Prishtinë  po prin Arben Vitia i Lëvizjes Vetëvendosje me 41.46 për qind. Pas tij është kandidati i LDK-së, Përparim Rama, me 32.49 për qind.

Në Gjakovë, duket se prin kandidati i AAK-së, Ardian Gjini.

Ndërkohë, rezultatet e para nga komuna e Lipjanit të publikuara nga KQZ, tregojnë se prin Imri Ahmeti i LDK-së me 56,64%, ku i dyti është Adnan Rrustem i VV-së me 23,74%.

Në Vushtrri, kandidati i PDK’së, Ferit Idrizi prin, ku ka mbledhur 1.021 vota nga 5,418 vota të numëruara ose 7,65 për qind të tyre.

Sipas numërimeve të KQZ’së, pas tij qëndron kryetari aktual i kësaj komune, njëherësh edhe kandidat për kryetar të LDK’së, Xhafer Tahiri, me 699 vota ose 31,12 për qind. I treti pas tij është kandidati i VV’së për kryetar të Vushtrrisë, Arsim Rexhepi, me 453 vota.

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ka filluar me numërimin e votave në Podujevë dhe publikimin e rezultateve, ku deri tani janë numëruar rreth 5 mijë vota. Bazuar te ky numërim, prin Shpejtim Bulliqi i VV’së me 46.13 përqind, Ekrem Hyseni ka 42.79 përqind, Floretë Zejnullahu 7.34, Besnik Tahiri 2.30, Gazmend Islami 1.00 dhe Xhemajl Hasani 0.45 përqind.

Ora 19:13
Përfundon votimi! Zgjedhjet lokale në Kosovë pa incidente të mëdha

Ka përfunduar pa incidente të mëdha procesi zgjedhor sot në Kosovë. Qytetarët iu janë drejtuar kutive të votimit në 38 komuna, për t’i zgjedhur përfaqësuesit e tyre lokal, asamblistët dhe kryetarët.

Të gjitha qendrat e votimit u hapën me kohë në orën 07:00 të mëngjesit dhe vetëm disa minuta më parë në orën 19:00.

Në këto zgjedhje të drejtë vote kishin 1 milion e 885 mijë e 448 qytetarë. Numri i qendrave të votimit në tërë Kosovën ka qenë 883 ndërkaq i vendvotimeve ishte 2,477.

Ora 16:37
Nuk humbi mundësinë për të votuar, njihuni me votuesen më të vjetër në zgjedhjet lokale të Kosovës

Gruaja më e moshuara në Kosovë, siç njihet në Istog Nëna Timë, i është drejtuar qendrës së votimit për të shfrytëzuar të drejtën e saj për votim.

Gruaja njëshekullore, saktësisht 103-vjeçare, ka dalë për të votuar, e lajmin e ka bërë të ditur një i afërm i saj, në rrjetet sociale. Nëna Timë është një personazh i njohur për publikun në Kosovë, pasi ajo ka rrëfyer se familja e saj e kishte fejuar kur ajo ishte vetëm 1 vjeç.

Ora 15:34
Zgjedhje lokale në Kosovë, deri më tani votuan 27%! KQZ: Procesi vijon pa incidente, pjesëmarrja relativisht e ulët

Ndërsa zgjedhjet lokale në Kosovë vijojnë pa incidente, numri i votuesve deri më tani sipas KQZ-së është 456 mijë e 347 qytetarë ose ndryshe 27%.

Komuna e Zveçanit radhitet e para për sa i përket pjesëmarrjes së qytetarëve në votim, ndërsa e lartë ka qenë përqindja e votuesve edhe në komunat me shumicë serbe.

Sipas raportimeve të vëzhguesve të Demokracisë në Veprim procesi i votimit deri në mesditë po shoqërohet me pjesëmarrje të ulët të qytetarëve në votim, me përjashtim të komunave në veri të vendit, ku mesatarja e daljes është 3 herë me e lartë krahasuar me komunat tjera.

Kujtojmë që për këto zgjedhje lokale të drejt vote kanë 1 885 448 persona, derisa sot hapen 883 vendvotime.

Ora 13:33
Zgjedhjet lokale në Kosovë, voton Konjufca: Sot një ditë e rëndësishme, procesi ka ecur siç duhet

Drejt kutive të votimit është drejtuar edhe kreu i Kuvendit të Kosovës, Glauk Konjufca.

Kryeparlamentari e quajti këtë ditë të rëndësishme, pasi qytetarët përmes vullnetit të lirë do të legjitimojnë pushtetin lokal dhe do të zgjedhin kryetarët komunave, duke theksuar se deri më tani procesi ka shkuar shumë mirë.

“Sot është ditë e rëndësishme për demokracinë, pasi qytetarët përmes votës së lirë do ta legjitimojnë pushtetin lokal, do t’i zgjedhin kryetarët e komunave…Deri më tani gjithçka ka shkuar mirë sipas KQZ-së, edhe me sa po mësojmë prej misioneve të vëzhgimit dhe monitorimit”, tha Konjufca.

“Urojmë të përmbyllet procesi e gjithçka të shkojë mirë e qytetarët t’i kenë ata të cilët e marrin pushtetin lokal sipas votës dhe besimit të qytetarëve të Republikës së Kosovës”, shtoi ai.

Ora 11:53
Voton Osmani, shoqërohet nga bashkëshorti dhe vajzat: Proces i rëndësishëm për qytetarët, po vendosin për 4 vitet e ardhshme

Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani, i është drejtuar kutive të votimit për të shprehur vullnetin e saj të lirë, në zgjedhjet lokale që po mbahen ditën e sotme. Ajo ka qenë e shoqëruar së bashku me vajzat dhe bashkëshortin e saj Prindon Sadriu.

Presidentja e quajti këtë proces të rëndësishëm për qytetarët, pasi do të vendosin për të ardhmen e tyre përgjatë 4 viteve të ardhshme.

“Një proces tejet i rëndësishëm për jetën e qytetarëve tanë. Sot qytetaret tanë pa dallim në çdo cep të vendit tonë votojnë sot për kualitetin e jetës së tyre, votojnë për komunën e tyre për udhëheqësin që do ta determinojë se si në katër vitet e ardhshme do të jetë jeta e tyre në komunat ku ata jetojnë”, tha ajo, duke i ftuar qytetarët që të dalin në zgjedhje.

“Të dëshmojmë se qytetarët e Kosovës janë mundësojnë dhe e mbrojnë çdo proces të drejtë e demokratik që ka të bëjë me jetën e tyre”, tha ajo.

 

Ora 11:48
Zgjedhje lokale në Kosovë, Voton Abdixhiku: Sot një ditë feste, s’ka gjë më të bukur kur qytetarët vendosin për udhëheqësit

Pasi ushtroi të drejtën e tij, duke shprehur vullnetin e lirë përmes votës, kryetari i LDK-së, Lumir Abdixhiku u shpreh se dita e sotme është një festë.

Ai tha se nuk ka asgjë më të bukur se kur qytetarët vendosin për udhëheqësit e tyre, ndërsa ftoi votuesit për herë të parë të mos humbin këtë mundësi.

 “Sot natyrisht është festë, s’ka gjë më të bukur kur qytetarët vendosin për udhëheqësit.  Ju falënderoj juve mediave e komisionarët, vëzhguesit. Dhe i uroj 40 mijë votuesit e ri që për herë të parë votojnë”, tha Abdixhiku.

Ora 10:59
Zgjedhjet lokale në Kosovë, voton Albin Kurti: Qytetarët të shfrytëzojnë këtë moment demokracie

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti i është drejtuar ditën e sotme kutive të votimit, ndërsa i ka bërë thirrje qytetarëve që të ushtrojnë të drejtën e votës.

“Si qytetar i Republikës ushtrova të drejtën për të votuar në këto zgjedhje të lira. Qytetarët në Kosovë sot vendosin se kush do të jenë udhëheqësit e tyre. Inkurajoj të gjithë qytetarët që të shfrytëzojnë këtë moment demokracie. Si kryeministër unë bashkë me qeverinë tonë do të punojmë në fuqizimin komunave. 4 vite të mbara, të mira i presin qytetarët anekënd Kosovës ku ata jetojnë dhe punojnë”, tha Kurti.

Ora 10:29
Zgjedhjet lokale në Kosovë, 4 të arrestuar për blerje të votës, mes tyre 3 serbë, shqiptari e shiti votën

4 persona janë arrestuar mbrëmjen e djeshme pasi akuzohen se kanë blerë votën për zgjedhjet lokale që po zhvillohen sot në Kosovë. Prokurori i Shtetit në bashkëpunim me Policinë e Kosovës, njoftojnë se mbrëmë në orët e vona, janë arrestuar katër persona në Kllokot, me inicialet A.D., M.K., A.T dhe Xh.B. për blerje të votës.

Katër të dyshuarit e arrestuar me urdhër të prokurorit të Shtetit janë dërguar në mbajtje për 48 orë. 

Mediat kosovare thonë se të arrestuar janë tre serbë dhe një shqiptar.

Shqiptari i arrestuar është i dyshuar për shitje të votës ndërsa të prangosur janë edhe djali i kandidatit të listës serbe për kryetar të Kllokotit, djali i njërës prej kandidates për asamble komunale të Kllokotit po ashtu nga Lista Serbe dhe një serb tjetër. 

Ora 09:32
Osmani: Sot votojmë për kualitetin e jetës sonë në komunat ku banojmë

1632600655_vjosaosmani051120.jpg

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani i është drejtuar me një mesazh qytetarëve të Kosovës të cilët zgjedhin sot përfaqësuesit e tyre lokal. Osmani tha se sot të gjithë votojmë për kualitetin e jetës në komunat ku banojmë.

"Mirëmëngjes Kosovë! Sot të gjithë votojmë për kualitetin e jetës sonë në komunat ku banojmë. Pavarësisht se në cilën komunë votoni, shpresoj që sërish ta dëshmojmë shpirtin tonë demokratik nëpërmjet pjesëmarrjes sa më të lartë në një proces të drejtë dhe të lirë, e duke i respektuar masat kundër Covid-19. I priftë e mbara Republikës sonë!", shkruan Osmani.

Ora 08:52
Zgjedhjet lokale në Kosovë, kryetari i KQZ-së Kreshnik Radoniqi voton i pari

Kryetari i Komisionit Qendror të Zgjedhjeve të Kosovës, Kreshnik Radoniqi ka hedhur i pari votën për zgjedhjen e përfaqësuesve lokal të 38 komunave. Ai ka votuar në shkollën fillore “Lidhja e Prizrenit” në Pejë.

“Unë dhe bashkëshortja ime e  shfrytëzuam të drejtën tonë për të votuar… Qendra e votimit është hapur dhe janë të hapura deri në ora 19:00. Ftoj qytetarët të shfrytëzojnë të drejtën kushtetuese dhe të votojnë. Dua të bëj thirrje edhe partive politike edhe këshillave të vendvotimeve të kontribuojnë në mbarëvajtjen e ditës së zgjedhjeve”, tha Radoniqi.

Ora 08:36
Zgjedhjet lokale në Kosovë, pjesëtarë të Listës Serbe u drejtohen bashkërisht kutive të votimit

Lista Serbe është partia e vetme serbe e Kosovës, e cila në të gjitha zgjedhjet merr pjesë me mbështetjen e Beogradit zyrtar. Pjesëtarë të këtij subjekti janë parë bashkërisht duke u nisur për të votuar në Mitrovicë të Veriut. Në mesin e grupit janë parë punonjës të institucioneve që financohen nga Serbia, nga sektori i arsimit, shëndetësisë dhe sektorë tjerë.

I.K./M.Q./Shqiptarja.com
Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

Komente

  • Turi: 17/10/2021 18:35

    Harrom qumshi i nones. Harrom gjaku i deshmoreve. Voten shkojeve jua shite o i mallkuar

    Përgjigju
  • Sondazhi i ditës:

    Varianti afrikan mbërrin në Europë, a duhen ashpërsuar masat anti-Covid edhe në vendin tonë?



×

Lajmi i fundit

John

Me nipin e Ibrahim Rugovës dhe duart në formën e shqiponjës, Meta uron 109-vjetorin e Pavarësisë: Gëzuar shqiptareve kudo që ndodhen