Pas shumë të këqijave vjen edhe një lajm i mirë për shqiptarët e Kosovës. Shteti më i ri në Evropë pritet që ditën e enjte të bëhet anëtari më i ri i Komitetit Olimpik Ndërkombëtar. Komitetit Ekzekutiv i IOC, pritet që të mblidhet ditën e enjte për të votuar pranimin ose jo të Kosovës. Por sipas medieve serbe, “Kurir” kjo është tanimë një punë e kryer dhe Kosova do të jetë pjesë e Komitetit Olimpik Ndërkombëtar.

Sipas “Kurir” Serbia është e pafuqishme për të ndalur fitoren e Kosovës ditën e enjte. Nëse gjithçka do të shkojë sipas parashikimeve të medieve serbe dhe dëshirës së shqiptarëve atëherë Kosova do të marrë pjesë në Lojërat Olimpike të 2016 që do të zhvillohen në Brazil me ekipin e saj përfaqësues.

Kosova ka sportiste të denja për pjesëmarrje në aktivitetet ndërkombëtare, një ndër të cilat është edhe Majlinda Kelmendi, e cila në Olimpiadën e fundit u përfaqësua me flamurin kuqezi. Ndërsa në Olimpiadën e 2016 duket se nuk do të dalë pa medalje, pasi në kategorinë e saj në xhudo është kampione bote.