TIRANE - Kandidati demokrat për Bashkinë e Tiranës në zgjedhjet e 21 qershorit Halim Kosova vijon me fushatën e tij, edhe pse ajo ende nuk ka nisur zyrtarisht. Pas takimit me gratë kryefamiljare dhe të rinjtë e kryeqytetit, Kosova këtë herë ka zgjedhur të ndalet në zonën e Pezës. Në fokus të takimit të tij kanë qenë fermerët e kësaj zone, hallet dhe shqetësimet e të cilëve kandidati Kosova i ka dëgjuar dhe ka bërë edhe premtimet e tij.

Shqetësimet e banorëve lidheshin kryesisht me pamundësinë për të shitur mallrat që prodhojnë. Për këtë Kosova u ka premtuar banorëve të kësaj zone se ai do të bëjë të mundur një organizim të tregut, në mënyrë që fermerët në të gjitha zonat e Tiranës të kenë një komunikim më të mirë me njëri-tjetrin.

 “Çdo zonë në Tiranë ka karakteristikë të vetën një, dy, tre, pesë prodhime. Por cili është ai që s’do më të mirën, por duhet një arbitër që ti kombinojë këto gjëra që ti do bësh këtë, ti do bësh këtë, ti do bësh këtë, në mënyrë që Bashkia t’u rregullojë lehtësira në punën tuaj të përditshme, t’u rregullojë rrugët e komunikimet sepse në fund të fundit duhet transportuar diçka, të rregullojë linjën se si kjo do të shkojë tek qytetari. Ti e prodhon perfekt dhe je i detyruar ta shesësh në kushte mizerabël. Kjo ta humb vlerën e djersës tënde se po i njëjti mall është. Kjo është një ide që ne po e diskutojmë dhe do ta diskutojmë edhe më në hollësi bashkë, që të gjithë ta dinë që në filan datë hapet tregu i madh i perimeve, i frutave të kësaj zone,  pra ndërtimi i tregjeve dhe i rrugëve se si ju t’i bini në mënyrë të organizuar. Unë mendoj që kjo do të jetë një nga prioritetet e mia”, tha Kosova.

Kandidati i PD-së për Bashkinë e Tiranës theksoi se transparenca dhe mbajtja e kontaktit me qytetarin do të jenë si gur themeli në aktivitetin e tij. 

“Puna e parë është transparenca. Unë dua të bëj një sistem transparence ku çdo njeri, çdo qytetar i kësaj zone të madhe që po bëhët gati 1/3 e Shqipërisë, ta dijë se ku po shkojnë lekët e veta. Ku shkojnë taksat. U grumbulluan kaq lekë. Me këto lekë do bëhet kjo, do bëhet kjo , do bëhet kjo. Dy gjëra kam si qëllim unë. Ekspertët padyshim që i kam në një krahë por qytetari dhe fshatari që është direkt, nuk e zgjidhën këtu problemin, komunikim direkt. Ky do jetë një nga prioritetet e mia, si të lidhet me qytetarin. Të gjithë bashkarisht do bëjmë diçka për të ecur në rrugën e duhur”, është shprehur kandidati Kosova.

Redaksia Online
(o.b/ Shqiptarja.com)