Pas zbardhjes së vendimit surprizë të Komitetit Ekzekutiv të FIFA-s për modalitetet e ndeshjeve miqësore që do të zhvillojë Kosova ka reaguar Ministri i Sportit, Memli Krasniqi duke e cilësuar si të papranueshëm dhe tërësisht politik.

“Ky është një vendim i padrejtë dhe i papranueshëm më të cilin FIFA rrezikon të shkelë mbi parimet themelore sportive, e mbi të gjitha të drejtat elementare njerëzore. FIFA me këtë vendim konteston shtetësinë e Kosovës të njohur nga 98 vende, që përbejnë shumicën e shteteve anëtare të OKB-së dhe nga disa organizata të rëndësishme ndërkombëtare siç janë FMN, Banka Botërore, BERZH" shprehet Krasniqi. Më tej ministri vazhdon" Ne e konsiderojmë vendimin si tërësisht politik, në kundërshtim me të drejtën e të rinjve tanë, te shtetit tonë për të qenë të barabartë në garat ndërkombëtare futbollistike”.

Në Tokio, Komiteti Ekzekutiv i lejoji Kosovës të zhvillojë ndeshje miqësore ndërkombëtare për grupmoshat e reja, skuadrën e femrave, amatorët dhe klubet kosovare. Por në vendim e zbardhur pak ditë më pas theksohet se Kosovës i lejohet zhvillimi i ndeshjeve miqësore, por vetëm jashtë Kosovës dhe pa simbole shtetërore, zhvillimi i ndeshjeve brenda Kosovës duhet të bëhet me konsultim paraprak me Federatën e Futbollit të Serbisë.

Por Ministri Krasniqi mban akoma shpresë se FIFA do ta ndryshojë vendimin kur thotë se" Një vendim të tillë e hedhim kategorikisht poshtë, futbolli i Kosovës ka më shumë se 20 vjet që vepron i pavarur dhe Kosova është e njohur ndërkombëtarisht. E kuptojmë zhgënjimin e futbollistëve. Por kërkojmë që të gjithë të mbajnë shpresat se e drejta jonë do të realizohet. Do të punojmë me gjithë potencialin që të thyejmë këtë izolim të padrejtë që po na bëhet tani e shumë vjet" përfundon Krasniqi.


dylber balla