Kosova do të ketë një tjetër përfaqësi diplomatike në Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Ushtruesja e detyrës së Presidentes së Kosovës, Albulena Haxhiu, ka nënshkruar sot dekretin për hapjen e një Konsullate të Përgjithshme në shtetin e Teksasit, me seli në Houston.

Vendimi vjen pas propozimit të Ministrisë së Punëve të Jashtme dhe Diasporës dhe synon zgjerimin e pranisë diplomatike, si dhe forcimin e lidhjeve me SHBA-në dhe komunitetin shqiptar atje. Sipas Haxhiut, hapja e këtij misioni është një hap i rëndësishëm për bashkatdhetarët në Teksas dhe rajonin përreth, duke e afruar më shumë shtetin e Kosovës me qytetarët e saj në diasporë.

“Ky është një hap i rëndësishëm për bashkatdhetarët tanë në Teksas dhe në rajonin përreth, por edhe mirënjohje për mërgatën tonë në Amerikë, e cila për dekada ka kontribuar për Kosovën,” u shpreh ajo.

Haxhiu theksoi se mërgata ka pasur një rol kyç në çdo fazë të shtetndërtimit, ndërsa me hapjen e kësaj konsullate, Kosova bëhet më e pranishme në një nga qendrat më të rëndësishme ekonomike dhe shoqërore të SHBA-së.