Juristi Kreshnik Spahiu është shprehur se nëse Sali Berisha do të rizgjidhet kryetar i Partisë Demokratike në zgjedhjet e 23 majit, atëherë kryeministri Edi Rama do të korrë fitore të thellë në zgjedhjet e vitit 2029.

Në një lidhje live për emisionin ‘Studio Live’ me gazetarin Ermal Qori në Report Tv, Spahiu tha se zgjedhjet që do të zhvillohen për kreun e PD-së janë të rëndësishme, pasi sipas tij, aty do të vendoset nëse në vitin 2029 do të ketë rotacion politik apo jo.

“Zgjedhjet për kryetar të PD-së sot janë shumë të rëndësishme, sepse prej zgjedhjes së kryetarit të opozitës varen zgjedhjet parlamentare të vitit 2029. Dhe pyetja 1 milionë sot është që zgjedhja e Berishës kryetar sjell rotacionin e parë politik në 2029-ën, apo i garanton mandatin e pestë Edi Ramës. Sigurisht që për shumë demokratë, duan ta shohin përjetësisht Sali Berishën në krye të partisë. Por një pjesë e madhe e popullsisë, që mund të përbëjë si votues ndryshimin politik në Shqipëri, sepse që të vish në pushtet dhe të rrëzosh partinë në pushtet, të duhen të paktën 51% e votave të elektoratit. Pra duhen mbi 1 milionë shqiptarë me të drejtë vote, që të votojnë për opozitën, për kandidatin për kryeministër të opozitës, që të vijë ndryshimi politik. Zgjedhja e Berishës si kryetar, e çon drejt një fitore në 2029-ën Edi Ramën. Dhe do të presë shpresat e shqiptarëve për rotacion pas 3 viteve. Dhe për këtë arsye debati sot mbahet gjallë. Nuk bëhet fjalë për zgjedhjet në një parti të zakonshme, por për zgjedhjet në një nga 2 parti që kanë qeverisur Shqipërinë në këto 4 dekada”, tha mes të tjerash Spahiu.

Kujtojmë se në zgjedhjet për kreun e Partisë Demokratike, që do të zhvillohen në 23 maj, Sali Berisha do të garojë i vetëm, pasi skualifikoi të gjithë pretendentët e tjerë për kandidatë.

Rendit zhvillimet sipas orarit:
Ora 17:53
Gara për kreun e PD/ Arben Malaj: Berisha ka mentalitet komunist, pengon rritjen e alternativave të reja brenda partisë

Ish-ministri Arben Malaj është shprehur se Sali Berisha e ka humbur mundësinë për të qenë lideri i opozitës shqiptare.

Komentet Malaj i bëri në një lidhje live për emisionin ‘Studio Live’ me gazetarin Ermal Qori në Report Tv, ku tha se Mereme Sela, para se të dilte si kandidate për kryetare të PD-së, duhet të formonte një grup brenda partisë, në mënyrë që ta kishte më të lehtë për të konkurruar Berishën.

“Partitë politike janë institucione të parashikuara në Kushtetutë. Ato kanë detyrimin ligjor të lejojnë mendimin e lirë, mendimin ndryshe. Nëse një parti do të thoshte në Statut që ‘ndalojmë mendimin ndryshe, ndalojmë konkurrimin’, etj, jam i bindur që edhe Kreshniku nuk do ta regjistronte si subjekt politik, sepse regjistrimi bëhet në bazë të Kushtetutës. E dyta, partitë politike shqiptare, si bashkime vullnetare, financohen deri në 90 % nga buxheti i shtetit. Lidhur me Berishën. Berisha ka kohë që e ka humbur mundësinë për të qenë lideri i opozitës shqiptare. Në këtë aspekt, ne sot do të kishim një diskutim tjetër. A krijohet një sinergji pozitive në opozitë? Opozita nuk është një kundërshtar për jetë a vdekje, por është një alternativë. Lidhur me zonjën që ka dalë kandidate dhe shkon në gjykatë. Ajo ka të drejtë, sepse secili ka të drejtë të zgjedhë e të zgjidhet. Por pika e dobët, është se ajo ka dalë thjeshtë si individ. Por kur do të bëhesh lidere e një partie politike, ti krijon një grup. Po të jetë nga pikëpamja politike, Berisha përdor një argument që ‘s’ka asnjë eksperiencë, ku opozita duhet të jetë më e ashpër’”, tha mes të tjerash Spahiu.

Më tej Spahiu shtoi se Berisha nuk i ka lejuar historikisht që të rriten figurat e reja brenda PD-së. Kjo pasi sipas tij, kryedemokrati ka mentalitet komunist.

“Por fakti që nuk ka kandidatë, nuk është avantazh i Berishës, por është dëshmia e qartë e një lideri autoritar. Kështu që në këtë aspekt duhet diçka e re. Kështu që edhe kur s’do ta dorëzojë vetë, ka mënyra si i merret pushteti dhe ndihmohet duke i marrë këtë pushtet absolut. Berisha u konsiderua lideri që përmbysi komunizmin dhe po e përmbyll si lideri që në tiparet e tij të përgjithshme ka mentalitet komunist sesi e kontrollon partinë e tij apo si ha, apo nuk lejon të rriten alternativat e reja në PD”, tha mes të tjerash Malaj.