Xherdan Shaqiri dhe Granit Xhaka janë shpallur kampionë me Baselin. Fitorja ndaj FC Lausanne-Sport me rezultat 3:1, në kuadër të javës së 31-të të kampionatit zviceran të futbollit, i mjaftoi Baselit që ta fitojë titullin e kampionit, të dytin rresht. Ky ekip ka 65 pikë, 18 më shumë se Luzerna, që ka 47.

Ndërkohë, mesfushori Shaqiri e ka dhënë një intervistë për të përjavshmen zvicerane ‘Der Sonntag’, ku ka zbuluar lajme interesante rreth fëmijërisë së tij.

“Nuk ishte e lehtë në fillim, pasi ne nuk kishim veturë dhe duhej të shkoja në stërvitje me autobus. Më duhej të udhëtoja deri në Basel, kështu që kishte raste që qaja, për të mos shkuar në stërvitje. Por, babai im gjithmonë më ka motivuar dhe sot i jam mirënjohës”, tha fillimisht përfaqësuesi zviceran.

Ai më pas tregoi se e ndihmon familjen, me paratë që merr nga futbolli. “E mbështes sidomos familjen, kjo është e rëndësishme për mua, duke e pasur parasysh që ata ishin të parët që më mbështetën. Për shembull, prindërve ua kam blerë një apartament. Sigurisht, nuk i keqpërdor paratë”, vazhdoi ai.

Shaqiri tregon se nuk preferoi të shkonte për të luajtur në Rusi, ku i ofruan shumë para, pasi që e preferoi një ekip të madh, ku mund të ketë sukses. Dhe, Bayernin e konsideron si ideal për ta fituar Ligën e Kampionëve dhe Bundesligën.(rb/shqiptarja.com)