Përveç këtyre, edhe 500 milionë euro para të Agjencisë Kosovare të Privatizimit (AKP) të grumbulluara nga shitja e Ndërmarrjeve Shoqërore (NSH) në Kosovë, po ashtu gjenden të deponuara në banka të fuqishme evropiane, me norma qesharake interesi, ku nga to shteti thuajse fare nuk fiton asgjë.
Njëmiliardëshi i FKPK-së, është kontribut direkt i më shumë se 450 mijë qytetarëve të Kosovës, ku nga paga e tyre ata ndajnë nga 5 për qind për pension të pleqërisë. Por, nga këta të fundit nuk është marrë ndonjë aprovim se si duan t’i menaxhojnë paratë e tyre.
Ndërkaq 500 milionë eurot e AKP-së, kryesisht janë “kapital” i bankave të huaja që operojnë në vendin tonë. Këto të fundit u kanë dhënë kredi biznesmenëve kosovarë për të blerë NSH në Kosovë.
Këta (biznesmenët) një kohë u turrën pas blerjes së NSH-ve. Një pjesë e tyre, paratë i kanë siguruar nga puna, apo biznesi në shtete të ndryshme evropiane, por pjesa dërmuese e tyre paratë për të blerë prona i kanë marrë kredi nëpër bankat komerciale në vend me norma shumë të mëdha interesi.
Nuk shkoi shumë kohë kur një pjesë e madhe e tyre falimentuan. Nuk patën mundësi as të kthejnë kreditë, por as të zhvillojnë ndërmarrjet, por vetëm kontribuuan që disa mjete nga bankat e Kosovës përmes AKP-së t’i dërgojnë jashtë shtetit.
Por, në anën tjetër, Kosova edhe më tutje përballet me probleme të mëdha ekonomike, pasi që e tërë ekonomia është e varur nga importi.
Të gjitha paratë po nxirren jashtë shtetit duke blerë produkte ushqimore e joushqimore, kryesisht në Serbi, Maqedoni, por edhe vende tjera të rajonit, apo edhe më gjerë.
Nga krijimi i fondit pensional pjesa dërmuese e parave kanë përfunduar në menaxhim të kompanive të ndryshme botërore, ku nga to qytetarët thuajse nuk kanë fituar asgjë. Nuk kanë munguar rastet kur edhe ata i kanë zvogëluar fondet e tyre si pasojë e rënies së bursave. Mirëpo, të gjitha këto kanë kaluar thuajse në heshtje.
Është folur shumë e nuk është vepruar hiç.
Më 4 korrik të këtij viti sipas të dhënave zyrtare FKPK-ja ka arritur të grumbullojë nga qytetaret hiç më pak se 1 miliardë e 2 milionë euro. E në anën tjetër, po ashtu sipas të dhënave zyrtare të Ministrisë së Financave shihet shumë qartë se borxhi publik i Kosovës ka shënuar një rritje të dukshme duke arritur në 507 milionë euro.
Nga kjo shumë 317 milionë euro i përkasin borxhit të jashtëm të Kosovës, e ndërkaq 189 milionë tjera konsiderohet si borxh i brendshëm.Të dhëna jonormale dhe shumë paradoksale për situatën në të cilën gjendet Kosova. Por, situata ekonomike në vendin tonë do të keqësohet edhe më shumë me fillimin e ndërtimit të autostradës që lidh Prishtinën me Shkupin ku për këtë projekt buxheti i shtetit do t’i shpenzojë hiç më pak se 600 milionë euro, por në këtë shumë nuk hyn edhe shpronësimi i tokave kah do të kalojë autostrada.