PRISHTINË, 8 Shtator /ATSH-B.Jashari/.- Në Ditën Ndërkombëtare për avancim të shkrim-leximit, e cila shënohet çdo 8 shtator, media kosovare thekson se në Kosovë sipas regjistrimit të popullsisë 2011, janë evidentuar gjithësej 55001 persona që nuk dinë shkrim-lexim që përbënë 3.2% të numrit të përgjithshëm të popullsisë dhe 3.9% të grupmoshave mbi 10 vjet.
Arsimi në Kosovë nuk është i nivelit cilësor. Arsimi fillor ka pjesëmarrjen më të lartë sa i përket përgatitjes shkollore të popullsisë dhe përbën 38.2%, ai i mesëm 24.3% dhe ai i lartë 9.3% (vetëm 0.8% me magjistraturë- master dhe doktorata).
Shqetësuese janë edhe të dhënat nga braktisje të shkollimit dhe mos regjistrim të nxënësve në shkollën e mesme duke e vështirësuar kështu edhe më tepër situatën sa i përket nivelit të shkollimit.
Për nder të Ditës Ndërkombëtare të Shkrim-Leximit, Programi për Arsimin Themelor i USAID-it organizon për herë të tretë "Panairin e Librit për Fëmijë", ku botuesit do të shfaqin libra për fëmijë./k.s/