Në Bruksel u mbajt takimi koordinues ndërmjet Qeverisë së Kosovës dhe Komisionit Evropian në kuadër të finalizimit të Raportit të Progresit 2014.

Gjatë takimit, u diskutuan të gjeturat dhe rekomandimet e draft Raportit të Progresit për vitin 2014. Në veçanti u diskutua progresi dhe sfidat në kuadër të kritereve politike, ekonomike dhe standardeve evropiane. Diskutim i veçantë u zhvillua rreth procesit të miratimit të MSA-së dhe përmbushjes së kritereve afatmesme të Studimit të Fizibilitetit.

Po ashtu, gjatë ditës u mbajt edhe takimi teknik në kuadër të procesit të liberalizimit të vizave, me këtë rast delegacioni i Kosovës ka prezantuar draft Planin e Veprimit për zbatimin e rekomandimeve të raportit të fundit të Komisionit Evropian.

Sipas njoftimit të dërguar nga Ministria kosovare e Integrimit, Komisioni Evropian vlerësoi lartë efikasitetin dhe efektivitetin e institucioneve të Kosovës në kuadër të përgatitjes së Planit të Veprimit dhe dy delegacionet ranë dakord që institucionet e Kosovës tani të fokusohen në zbatimin e Planit të Veprimit dhe rrjedhimisht deri në fund të vitit të dorëzojnë raportin e vlerësues mbi zbatimin e Planit të Veprimit. /ATSH/