/ATSH/.- Qytetarët e Pejës do të protestojnë sot kundër deklaratave fyese të zëvendëskryeministrit të Kosovës dhe ministrit për Komunitete dhe Kthim, Aleksandër Jabllanoviç, drejtuar qytetarëve të Gjakovës. Po ashtu, një aktivitet do të organizojnë edhe shoqatat e të pagjeturve. Aktiviteti i shoqatave të të pagjeturve do të organizohet pranë Ministrisë së Kthimit në Fushë Kosovë dhe do të përkrahet edhe nga studentët. Protesta do të vazhdojë edhe nesër në Gjakovë, qytetarët e së cilës Jabllanoviç i quajti "egërsira".
Ndërkohë, dje studentët e Universitetit të Prishtinës kanë vendosur në muret e objektit të Ministrisë për Komunitete dhe Kthim, në Fushë Kosovë, mbishkrimet "Kosova nuk është Metohi, nuk është Serbi, Kosova është Republikë".

Ata kërkuan nga kryeministri Isa Mustafa, shkarkimin e Jabllanoviçit. Studentët dolën sot me një aktivitet simbolik duke vendosur edhe fotografi të gjenocidit në muret e ministrisë.
Në këtë mënyrë, ata duan t'i rikujtojnë Jabllanoviçit, masakrat që Serbia bëri gjatë luftës së fundit në Kosovë./Kosovapress/