PRISHTINË, 4 Dhjetor/ATSH/.- Pjesëtarë të familjeve të dëshmorëve në Kosovë po protestojnë para rektoratit të Universitetit të Prishtinës "Hasan Prishtina", ku po kërkojnë dorëheqjen e rektorit, Ramadan Zejnullahu.
Policia e Kosovës po kërkon nga protestuesit që të mos tentojnë të hyjnë brenda Rektoratit, në mënyrë që mos ta shtyjë policinë ta përdorë forcën. Ndërkohë, protestuesit vazhdojnë tentimet për të hyrë në Rektorat.
Sipas Xhavit Jasharit, kryetar i familjeve të dëshmorëve, rektori Zejnullahu, duke mos respektuar memorandumin i ka fyer të gjitha kategoritë e dala nga lufta.
Një ditë më parë Avokati i Popullit, Sami Kurteshi, i ka bërë thirrje ministrit të Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë, Ramë Buja, që ta pezullojë vendimin për regjistrimin e studentëve të kategorive të dala nga lufta duke thënë se i ka filluar hetimet rreth ligjshmërisë së kërkesës së këtyre të fundit. /Kosovapress/k.s/









