Shkrimtari dhekritiku i filmit dhe teatrit Vehap Shita
PRISHTINË, 18 Nëntor /ATSH/- Në shenjë nderimi për shkrimtarin, kritikun e filmit dhe teatrit, Vehap Shita (1923-2014) dhe me qëllim për krijimin e një mendësie të re në fushën e kritikës teatrore në Kosovë, Festivali SKENA UP, në edicionin e tij të XII, themelon Çmimin për Kritikë Teatri "Vehap Shita"
"Me qëllim që të krijojë vazhdimësi të traditës së kritikës teatrore në Kosovë përmes nderimit të njërit nga themeluesit e saj dhe  nga personalitetet më të shquara në këtë fushë, Vehap Shita, SKENA UP do të nderojë në edicionin e XII këtë personalitet duke themeluar një çmim me emrin e tij", bëhet e ditur sot në njoftimin e dërguar.
Festivali Ndërkombëtar i Studentëve për Film dhe Teatër SKENA UP nëpërmjet nderimit të Vehap Shitës, një prej mysafirëve e vizitorëve më të parë të festivalit, do të ndajë çmimin për kritikët e rinj të teatrit.
Kritiku i teatrit Vehap Shita ka qenë anëtar jurie në Festivalit SKENA UP qysh në edicionin e parë dhe më pas një nga mysafirët më special në programin e teatrit.
Çmimi do t'i ndahet shkrimit më të mirë të kritikës teatrore për shfaqjet e dhëna në edicionin e XII të Festivalit SKENA UP. Në edicionet e tjera, të drejtë konkurrimi për këtë çmim, përveç shkrimeve për shfaqjet e edicionit përkatës të Festivalit, do të kenë edhe të gjithë studentët e drejtimeve përkatëse, të cilët gjatë gjithë vitit do të shkruajnë dhe do të publikojnë shkrimet e tyre kritike në fushën e teatrit në ndonjërën nga mediat e shkruara apo ato online.
"Nëpërmjet këtij çmimi ne duam të nxisim kultivimin e mëtejshëm të kritikës teatrore të Shitës, në frymën bashkëkohore tek kritikët e brezit të ri. Gjithashtu të përmbushim vakumin aktual në hapësirën e kritikës teatrore në Kosovë dhe përmes kësaj të ndikojmë në zhvillimin dhe promovimin e talenteve të reja në këtë fushë", theksojnë organizatorët e festivalit.
Në 10 nëntor, këtë vit, ka ndërruar jetë në moshën 91 vjeçare, Vehap Shita, shkrimtar, kritik letrar, përkthyes dhe vperimtar për të drejtat e njeriut. Vehap Shita u lind në Gjakovë më 1923. Që i ri u përfshi në lëvizjen nacionalçlirimtare, duke qenë edhe pjesëmarrës i luftës. Më pastaj iu kushtua shkrimit, si shkrimtar, kritik i teatrit dhe i filmit. Për shumë vite punoi si gazetar e redaktor në gazetën tradicionale të Kosovës "Rilindja". /b.j/k.s/