PRISHTINE, 26 nentor/ATSH-B. Jashari/. - Manifestimi i Ditës së Forcës, 27 Nëntori, filloi me homazhet në Kompleksin Memorial në Prekaz. Ministri Agim Çeku, ishte pjesë e delegacionit të Qeverisë së Kosovës të prirë nga kryeministri Hashim Thaçi, ndërsa delegacioni i FSK-së, udhëhiqej nga komandanti i saj, gjenerallejtënant Kadri Kastrati. Të dy delegacionet në varrin e Komandantit Legjendar Adem Jashari dhe varrezat e Jasharëve, vendosën kurora me lule dhe bënë homazhe.
Ceremonia për shënimin e Ditës së Forcës filloi me inspektimin e kuadrateve të rreshtuara të FSK-së, nga presidentja Atifete Jahjaga dhe gjenerallejtënant Kadri Kastrati.Presidentja Jahjaga ka uruar FSK-në, për Ditën e saj, duke theksuar se "Forca e Sigurisë së Kosovës është e ndërtuar mbi themele të fuqishme, që udhëhiqet nga synimi për të krijuar infrastrukturë të plotë të sigurisë në përputhje me nevojat e shtetit tonë dhe në harmoni me interesat tona kombëtare për të qenë faktor paqeje dhe stabiliteti në rajon dhe më gjerë. Në rrugëtimin e saj, FSK-ja ka pasur mbështetjen e NATO-s dhe forcës së saj paqeruajtëse në Kosovë, si dhe të Gardës Kombëtare Amerikane".Ndërsa, në emër të Qeverisë së Republikës së Kosovës të pranishmit i përshëndeti kryeministri i saj, Hashim Thaçi, i cili, ndër të tjera, thase "Më 21 janar mbushen 6 vjet që nga themelimi i njërit prej institucioneve më të rëndësishme dhe më prestigjioze të Republikës së Kosovës, Forcës së Sigurisë së Kosovës. Njëra ndër prioritetet e institucioneve që do të funksionalizohen së shpejti është edhe zotimi për t'i kaluar të gjitha procedurat juridike që FSK-ja të transformohet sa më shpejt në Forca të Armatosura të Kosovës. Jemi krenarë që FSK-ja, si institucion prestigjioz dhe profesional, sot funksionon në kapacitete të plota e gatshme dhe e aftë për të përmbushur misionin e saj. FSK-ja, duke bashkëpunuar ngushtë me NATO-n dhe KFOR-in, sot është e gatshme që të kryejë të gjitha obligimet brenda në Kosovë, por edhe ato në rang të marrëveshjeve rajonale dhe shtetet përreth nesh. Arritjet e FSK-së janë rezultat i një bashkëpunimi të ngushtë dhe të frytshëm me Gardën Nacionale të Ajovës të SHBA-ve, me Ministritë Mbrojtjes të shteteve mike, si: Britanisë së Madhe, Gjermanisë, Italisë, por edhe të Letonisë e Lituanisë dhe vendeve tjera".Falë këtij bashkëpunimi kuadrot e FSK-së specializohen në kolegjet më të avancuara të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Britanisë së Madhe, Kroacisë, Turqisë dhe vendeve tjera. Edhe me këtë rast këtyre shteteve u shprehim dhe i falënderojmë për ndihmën dhe përkrahjen e tyre. /a.ke/








