/ATSH/.-Kryeministri i Kosovës Isa Mustafa ka takuar sot ambasadoren e Gjermanisë në Prishtinë, Angelika Viets, e cila i ka përcjellë urimet e përzemërta të kancelares Angela Merkel për zgjedhjen në pozitën e kryeministrit dhe gatishmërinë e qeveris gjermane për të vazhduar me bashkëpunimin e ngushtë midis dy vendeve.

Kryeministri Isa Mustafa falënderoi për urimet dhe vlerësoi rolin e rëndësishëm të Gjermanisë për progresin e gjithanshëm në Kosovë. Ai theksoi gatishmërinë e kabinetit të tij qeveritar për të vazhduar bashkëpunim në fushën e sigurisë, të zhvillimit ekonomik, kulturor dhe në ruajtjen e raporteve të shkëlqyera midis dy vendeve.

Në takim, kryeministri Mustafa i shprehu ambasadores gjermane edhe një herë keqardhjen e thellë për vdekjen e papritur të Andreas Schockenhoffen, nënkryetarit të grupit parlamentar të CDU-së në Bundestagun Gjerman, duke shprehur konsideratën e lartë për angazhimet e tij në ndërtimin e marrëdhënieve miqësore mes të dy vendeve.
Kryeministri i Qeverisë së Republikës së Kosovës ka vazhduar edhe sot të presë ambasadorët e akredituar në Prishtinë, të cilët i kanë uruar zgjedhjen në pozitën e kryeministrit dhe gatishmërinë e vazhdimit të bashkëpunimit.