Ekipi për çminim i KFOR-it ka bërë shpërthimin e kontrolluar të mjetit të pashpërthyer në Mokra Gora, komuna Zubin Potok, në veri të Kosovës. Ndërsa, në një rrugë të qytetit të Obiliqit, afër Prishtinës, njësia për çminim e FSK-së ka tërhequr një mjet të pashpërthyer. Në të dy rastet e gjetjes së mjeteve shpërthyese, të raportuara nga qytetarët, nuk ka pasur incidente, bëhet e ditur në raportin e sotëm të 24 orëve të fundit të Policisë së Kosovës.

Edhe në raportin e djeshëm policor 24 orësh njoftohej se një shqiptar nga komuna e Gjilanit në lindje të vendit dhe një serb nga Mitrovica veriore kanë raportuar gjetje të mjeteve shpërthyese afër shtëpive të tyre, "shkaktim të rrezikut të përgjithshëm". Edhe në këto dy raste njësitet për çminim kanë bërë shpërthimin në mënyrë të sigurt në njërin, e në tjetrin tërheqjen e mjetit shpërthyes, pa incidente.

Në Kosovë,në raportet e Policisë, rastet e gjetjes së mjeteve shpërthyese janë thuajse të përditshme. Shumë mjete shpërthyese të pashpërthyera, përfshirë zonat e minuara nga forcat serbe, kanë mbetur që nga lufta e para më shumë se 15 viteve.

ATSH