PRISHTINË - Ndërtimi i sundimit të ligjit dhe një sistemi të efektshëm, në të cilin qytetarët kanë besim është shumë i rëndësishëm, për të gjithë qytetarët e Kosovës, si dhe për integrimin në Evropë, theksoi sot ambasadorja e SHBA-së në Kosovë, Tracey Ann Jacobson.
Sipas KosovaPress, në tryezën "Drejtësia dhe Qytetarët" me temë "Drejtësi e qasshme", ambasadorja Jacobson tha se "e kuptoj se është arritur shumë përparim gjatë viteve të fundit dhe e kam kuptuar se inspektorati policor i Kosovës, tani u mundëson qytetarëve, që të paraqesin ankesa në gjashtë mënyra. Por po ashtu e kam kuptuar se zyra e prokurorit disiplinor, ka ndryshuar mekanizmat për raportimin e ankesave dhe këto janë më lehtë të përdorshme për qytetarët, nëse kanë ndonjë shqetësim ndaj ndonjë gjykatësi apo prokurori".
"Po ashtu edhe Oda e Avokatëve, tani ua lejon individëve, të parashtrojnë kërkesat për proceset disiplinore të avokatëve dhe mbrojtësve të tyre. Mendoj se këto janë hapa shumë të rëndësishëm sa i përket transparencës. Megjithatë mendoj se ende mbetet shumë punë për t'u bërë", nënvizoi Jacobson.
Kryetari i Këshillit Gjyqësor të Kosovës, Enver Peci, tha se "Gjyqësori i Kosovës, duhet të perceptohet si i drejtë, i paanshëm dhe i pavarur dhe si institucion publik, duhet të japë dhe llogari për veprimet dhe mendimet e veta".
"Qytetarët tani kanë rrugë të ankimimit dhe drejtimit të ankesave të tyre, në zyrën e prokurorit disiplinor, mirëpo ka shumë për tu bërë, sa i përket krijimit të mekanizmave dhe forcimit të kësaj zyre, por dhe të mekanizmave të komisionit disiplinor, që veprojnë në kuadër të Këshillit gjyqësor", u shpreh Peci.
Peci theksoi se "Gjyqësori në Kosovë, ka kaluar në reforma të thella, në kuptimin legjislativ dhe organizativ, ndërsa foli dhe për numrin e rasteve të grumbulluara nëpër gjykata, për të cilat tha se tashmë ato janë adresuar.
Sipas tij këto kanë qenë ankesat më të mëdha të qytetarëve, që janë paraqitur dhe në zyrën e prokurorit disiplinor dhe me të drejtë palët, kanë kërkuar që gjyqësori të jetë efikas, pasi është kërkesë ligjore dhe kushtetuese./ATSH/