/ATSH-B.Jashari/.-Në vitin 2015 na pret një punë e madhe, një angazhim shumë i madh i të gjitha institucioneve dhe qytetarëve, tha sot Presidentja e Kosovës, Atifete Jahjaga.
'Është një vit i them i reformave të thella që duhet të ndodhin në shtetin tonë, reforma që është dashur të ndodhin ndoshta vite me radhë, por ne tanimë duhet ta zëmë hapin, sepse kemi një rrugë të gjatë të integrimeve evropiane dhe euroatlantike', theksoi ajo.

Presidentja Jahjaga the se reformat janë të domosdoshme janë të ndërlidhura me mirëqenien dhe me përmirësimin e jetës së gjithsecilit qytetar të vendit.
Krerët e institucioneve të Kosovës, presidentja e Republikës, Atifete Jahjaga, kryministri Isa Mustafa e kryetari i Kuvendit, Kadri Veseli, organizuan sot pritje takimesh të veçanta me gazetarët në prag të vitit të ri 2015.

Takim fundviti 2014 me gazetarët ka mbajtur zv/kryeministi në qeverinë e Kosovës dhe ministri i Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Kujtim Shala, ndërsa sot organizojnë edhe ministri i Financave Avdullah Hoti e ministri i Integrimit Evropian, Bekim Çollaku dhe institucione të tjera shtetërore, si dhe parti politike.

Në Kosovë 2014-ta ishte ishte vit i zgjedhjeve parlamentare të parakohëshme të 8 qershorit, të cilat sollën institucionet e reja të vonuara pas një kohe të humbur të gjashtë muajve të "ngrirjes" politike deri te koalicioni qeverisës i dy partive më të mëdha politike të vendit.