Kosove-Pamje nga Prishtina Foto ATSH
PRISHTINË, 7 Korrik /ATSH-B.Jashari/ -Koalicioni i paszgjedhjeve të parakohshme të 8 qershorit do ketë grupin e përbashkët parlametar me 47 deputetë, sipas marrëveshjes së ditës së sotme. Tre subjektet e koalicionit, pjesë e një marrëveshje të nënshkruar nga liderët, LDK me 30 deputetë, AAK me 11 e Nisma për Kosovën me 6, kanë edhe marrëveshjen e deklaruar, por të kushtëzuar, të Lëvizjes Vetëvendosje me 16 deputetë.
Koalicioni parazgjedhor i PDK-së me katër parti të vogla ka 37 deputetë.
Të gjitha këto subjekte parlamentare shqiptare së bashku kanë 100 deputetë, ndërsa të komuniteteve pakicë janë 20 deputetët tjerë, 10 prej tyre serbë.
Lideri i LDK-së, Isa Mustafa, i AAK-së Ramush Haradinaj e i Nisma-s, Fatmir Limaj, në një takim sot, sipas deklaratave, janë dakorduar që të kenë një grup parlamentar për të gjitha procedurat që i paraprijnë zgjedhjes së kryetarit të Kuvendit, seanca konstituive e të cilit do thirret për datën 17 korrik, sipas vndimit që mori po sot presidentja e Republikës.
Sipas koalicionit paszgjedhor, kryetar i ri Kuvendit të Kosovës do zgjedhet lideri i LDK-s, Mustafa.
Në 10 qershor, LDK-AAK-Nisma arritën një marrëveshje sipas së cilës lideri i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës Haradinaj është i nominuari i përbashkët për kryeministër, ndërsa kryetari i Kuvendit i takon Lidhjes Demokratike të Kosovës, si dhe Presidenti në harmoni me Kushtetutën. /gj.m//a.ke/