PRISHTINË, 3 Tetor /ATSH-Behlul Jashari/.-Deputetët e LDK-së, VV-së, AAK-së dhe Nismës kanë bërë sot një shkresë për gjithë deputetët e Kuvendit të Kosovës, për të vazhduar më 9 tetor 2014, në orën 10:00, seancën e papërfunduar konstituive të Legjislaturës V, me të vetmen pikë të rendit të ditës: zgjedhjen e kryetarit dhe e nënkryetarëve të Kuvendit.
Sipas burimeve zyrtare nga Kuvendi, shkresa e nënshkruar nga 62 deputetë, i është adresuar edhe kryesueses së seancës konstituive, Flora Brovina, kurse me përmbajtjen e saj është njohur edhe presidentja e Republikës së Kosovës, Atifete Jahjaga.
Bëhet e ditur se, administrata e Kuvendit ua ka shpërndarë shkresën deputetëve në kutitë e tyre postare.
Ky zhvillim vjen pas shtyrjes së vazhdimit të seancës konstituive të Kuvendit, me rend dite për të tretën herë "zgjedhjen e Kryetarit të Kuvendit dhe e nënkryetarëve të Kuvendit", të thirrur për 2 tetor, të ndërprerë dy herë në 17 korrik e 18 shtator.
/a.gjonaj//m.m/