Më 28 dhjetor, Kosova do mbajë zgjedhjet e parakohshme parlamentare. Shpallja e kësaj date u bë nga presidentja Vjosa Osmani në një konferencë për media. Më herët, Osmani firmosi vendimin e shpërndarjes së parlamentit pas takimit të mbajtur me krerët e partive politike për datën e zgjedhjeve. 

Takimi erdhi një ditë pasi Glauk Konjufca i LVV-së nuk arriti që të siguronte votat e nevojshme për formimin e qeverisë.  

“Në përputhje me Kushtetutën e Kosovës dhe legjislacionin në fuqi, si dhe pas pranimit sot të vendimit të Kuvendit të Kosovës lidhur me dështimin e krijimit të Qeverisë edhe nga mandatari i dytë, presidentja e Republikës së Kosovës ka shpërndarë sot legjislaturën e nëntë të Republikës së Kosovës”, thuhet në njoftimin e Presidencës.

Një ditë më parë, kuvendi i Kosovës nuk votoi në favor të formimit të qeverisë me kryeministër Glauk Konjufcën. Pro votuan vetëm 56 deputetë, 4 abstenuan dhe 53 ishin kundër. Konjufca ishte figura e dytë e LVV-së, pas liderit të partisë, Albin Kurtit, që nuk i siguroi votat e nevojshme për qeverinë Kurti 3. 

Kosova është me Qeveri në detyrë, në mungesë të një ekzekutivi të ri, pas zgjedhjeve parlamentare të 9 shkurtit. 

Dekreti i presidentes Osmani 

Rendit zhvillimet sipas orarit:
Ora 16:30
Kosovë/ Pas shpalljes së zgjedhjeve të parakohshme më 28 dhjetor, Osmani takim me të ngarkuarën me punë të SHBA-së

1763653786_aaa.JPG

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani ka pritur në takim sot të ngarkuarën me punë të SHBA-së, Anu Prattipati ku u diskutua për zhvillimet e fundit në vend dhe për mbajtjen e zgjedhjeve te parakohshme. 

“Presidentja theksoi rëndësinë e mbarëvajtjes së procesit zgjedhor dhe respektimit të standardeve më të larta demokratike”- njofton Presidenca.

Në takim u trajtuan gjithashtu edhe çështje të ndryshme të bashkëpunimit bilateral, ku presidentja Osmani ritheksoi përkushtimin e plotë për forcimin e partneritetit me aleatin më të rëndësishëm strategjik.

Presidentja Osmani ka shpallur 28 dhjetorin 2025 datë për mbajtjen e zgjedhjeve të jashtëzakonshme parlamentare.