Albin Kurti
Kryeministri Albin Kurti foli sot (2 dhjetor 2024) në Kuvendin e Kosovës lidhur me ngjarjet e fundit që kanë ndodhur në veri të vendit.
Në fjalën e tij, Kurti u shpreh i bindur se Serbia është treguar më agresive ndaj Kosovës që kur kjo e fundit filloi të reagojë me vendosmëri kundër kriminalitetit dhe paligjshmërisë në komunat me shumicë serbe.
Ai tha se deri tani janë zbuluar 12 depo me armatime të shumëllojshme në 4 komuna me shumicë serbe.
“Kjo po vazhdon, dikur për çdo muaj, më pastaj për çdo javë e tash për çdo ditë. Janë mbyllur komunat ilegale të Serbisë. Organizatat kriminale “Mbrojtja Civile” dhe “Brigada e veriut” i kemi shpallur organizata terroriste me 29 qershor të vitit të kaluar dhe është eliminuar ndikimi i tyre si organizata në veriun e Kosovës. Kjo nuk do të thotë që nuk ka elemente kriminale ende atje. Pas 24 vjetësh në katër komunat e veriut janë hapur e funksionalizuar zyrat e regjistrimit të bizneseve e kadastrave, janë mbyllur 6 filiale të bankave të Serbisë”,- tha kryeministri.
Ai tha se gjithnjë e më shumë qytetarë po bashkëpunojnë me shtetin e Kosovës.
“Mbi 4 mijë qytetarë serbë të Kosovës i kanë dorëzuar targat ilegale të lëshuara nga Serbia e janë pajisur me targa RKS e mbi 6 mijë qytetarë janë pajisur me patentë-shofer të Kosovës, e ky sukses i shtetit e rriti nervozen e agresivitetin në Beograd”,- tha Kurti.
Nga foltorja e Kuvendit të Kosovës, Kurti foli edhe për rritjen e buxhetit për fushën e mbrojtjes.
“Ne do të dëshironim që në vend të shpenzonim për armatim e municion të shpenzonim për fushat tjera, por për shkak të fqinjit tonë agresiv verior që nuk na njeh, mohon krimet e luftës e vazhdimisht na provokon, dhe në anën tjetër për shkak të tensioneve të reja gjeopolitike, jo vetëm në kontinentin tonë e kemi trefishuar buxhetin e ushtrisë. E kemi dyfishuar numrin e ushtarëve të rekrutuar, dhe i kemi katërfishuar numrin e ushtarakëve të trajnuar jashtë vendit”,- u shpreh Kurti. duke shtuar se është hequr kufizimi i numrit të ushtarëve në FSK.
Ai theksoi se prej kohësh arsenali i ushtrisë kosovare është pasuruar me dronët luftarak Bayraktar nga Republika e Turqisë dhe sistemin anti-tank Javelin nga SHBA.
Lajmi kryesor: