PRISHTINË, 8 Shtator/ATSH/.- Liderët e  Bllokut LDK-AAK-Nisma, Isa Mustafa, Ramush Haradinaj dhe Fatmir Limaj po zhvillojnë sot në mesditë një takim në zyrat e Grupit Parlamentar të LDK-së në Kuvendin e Kosovës.
Në këtë takim pritet të diskutohen hapat që do të ndërmarrë Blloku në seancën e 12 shtatorit. Janë bërë pothuajse të rregullta takimet e liderëve të Bllokut LDK-AAK-Nisma, ku ata firmosën një marrëveshje koalicioni për themelimin e institucioneve të reja, që po synojnë të formojnë pas dy vendimeve të Gjykatës Kushtetuese.
Takimi vjen disa ditë para vazhdimit të seancës Konstituive të Kuvendit të Kosovës, në të cilën si pika të rendit të ditës janë zgjedhja e Kryetarit dhe e Kryesisë së Kuvendit.
Në këtë takim do të diskutohet edhe për vazhdimin e bisedimeve me Lëvizjen Vetëvendosje, në përpjekje për të hedhur në letër një marrëveshje që do t'i siguronte bllokut mbi 60 vota të partive shqiptare, kundër PDK'së në Kuvendin e Kosovës.
Ndërsa Kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ramush Haradinaj, në një intervistë për Zërin e Amerikës ditët e fundit tha se "koalicioni i tij me Lidhjen Demokratike dhe Nismën për Kosovën i kanë votat për ngritjen e institucioneve dhe presin që Partia Demokratike të shpenzojë mundësitë e saj si partia që doli e para nga zgjedhjet e tetë qershorit".
"Vendit nuk i duhen zgjedhjet e jashtëzakonshme dhe kryeministri Thaçi pas udhëheqjes së vendit për dy mandate, të pozicionohet qartë duke u liruar rrugë forcave politike që kanë mundësi t'i ndërtojnë institucionet", u shpreh Haradinaj.
Hardinajt theksoi se "PDK e ka në të drejtën e saj kandidaturën, por nuk i ka votat. Do të thotë është e thjeshtë situata. Ata me siguri do ta shfrytëzojnë këtë të drejtë, por do të vërtetohet se nuk i kanë votat. "Në këtë rast vijmë në shprehje ne. Pra, ne në momentin e dështimit të PDK-së vijmë me zgjidhjen, pra me kandidaturën e zotit Isa Mustafa, meqenëse i kemi edhe votat, kjo është zgjidhja", shprehet Haradinaj për "Zërin e Amerikës"./k.s/./a.g/