PRISHTINË, 16 Nëntor/ATSH/.- Angazhimi i institucioneve për luftimin e korrupsionit është në nivel shumë të ulët, ndërkohë që shumë akte korruptive kanë ndodhur gjatë këtij viti.
Kështu ka deklaruar Fiadan Kalaja, nga Lëvizja Fol, në një konferencë për media, ku ka prezantuar statistikat anti-korrupsion për periudhën korrik-shtator 2014.
Sipas KosovaPress, Kalaja gjithashtu ka thënë se kjo lëvizje ka vërejtur se institucionet nuk kanë vullnet për të zbatuar politika të cilat luftojnë dhe parandalojnë korrupsionin brenda institucioneve dhe se gjithashtu ata kanë parë një nivel jashtëzakonisht të ulët të efikasitetit dhe vullnetit politik të tyre, që të ndihmojnë institucionet që kanë mandat në luftimin e korrupsionit.
"Lufta kundër korrupsionit është një retorikë ditore, duke e konsideruar atë si prioritet nga ana e institucioneve, ndërsa në praktikë shohim se ka një angazhim jashtëzakonisht të ulët sa i përket luftimit të këtij fenomeni", ka thënë Kalaja.
"Megjithatë Policia e Kosovës është më aktivja në trajtimin dhe procedurimin e veprave antikorrupsion, ndërsa gjykatat janë problemi kryesorë sepse nuk janë efikase në gjykimin e tyre," është shprehur ai.
Sa i përket të dhënave të Agjencisë për Administrimin e Pasurisë së Sekuestruar ose të Konfiskuar, sipas lëvizjes FOL, kjo agjenci ka pranuar për ekzekutim 57 vendime ku, 42 kanë qenë vendime për pranimin e pasurisë së sekuestruar, 12 vendime për pasuri të konfiskuar, 1 vendim për administrimin e pasurisë së ngrirë dhe 2 vendime për kthimin e pasurisë së sekuestruar. Vlera e përafërt e vlerësuar e pasurive të administruara nga AAPSK është rreth 340,000.00 EUR./m.m/