PRISHTINË - Ministria e Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë (MASHT) deklaroi sot se "në 61 shkolla nuk është mbajtur greva e mësuesve e shpallur nga Sindikata e Bashkuar e Arsimit, Shkencës dhe Kulturës e Kosovës".
Në një njoftim për shtyp, MASHT thekson se "sipas informatave të marra nga Drejtoritë Komunale të Arsimit (DKA), lidhur me grevën e shpallur nga SBASHK-u, që mësimi të mos mbahet në orën e parë të mësimit në 61 institucione arsimore në nivel vendi, nuk janë përfshirë fare në grevë dhe procesi edukativo-arsimor është zhvilluar normalisht, ndërsa në 15 institucione arsimore greva është mbajtur pjesërisht".
"Qeveria e Kosovës në mandatin e kaluar ka ngritur pagat e mësimdhënësve dhe ka punuar shumë për krijimin e kushteve sa më të mira për mësimdhënie dhe mësimnxënie. MASHT po punon vazhdimisht edhe tani në këtë drejtim, por edhe në përmirësimin e situatës financiare të mësimdhënësve", thuhet në një komunikatë të ministrisë.
Në këtë drejtim, thuhet në komunikatë sa i përket Kontratës Kolektive, janë plotësuar të gjitha pikat përveç kuotës ditore, për të cilën po punohet për të gjetur një zgjidhje. Duke qenë se qeveria e re është në fillimet e punës së saj, MASHT kërkon mirëkuptim nga SBASHK-u dhe mësimdhënësit, në mënyrë që të jepet kohë për gjetjen e një zgjidhje të qëndrueshme.
MASHT kërkon që të mos ndërpritet procesi mësimor në institucionet e arsimit parauniversitar, ndërsa do vazhdojë përpjekjet në drejtim të realizimit të plotë të kontratës kolektive. /ATSH/