Kosove-Pamje nga Prishtina Foto ATSH
PRISHTINË,  5  Korrik /ATSH-B.Jashari/.-Ministria e Punëve të Jashtme e Kosovës deklaroi sot se po përcjell me shqetësim zhvillimet e dy ditëve të fundit në Maqedoni, njëherazi me protestat e qytetarëve shqiptarë dhe dhunën e përdorur ndaj tyre nga policia maqedonase në Shkup.
MPJ e Kosovës vlerëson se situata e krijuar nuk i kontribuon stabilitetit dhe bashkëjetesës ndërmjet etnive në Maqedoni dhe u bën thirrje palëve që të shmangin veprimet e dhunshme dhe të tregojnë vetëpërmbajtje e maturi.
Ministria e Jashtme kosovare thekson se do të vazhdojë t'i ndjekë me vëmendje zhvillimet në Maqedoni dhe konsideron se dhuna nuk është mënyra më e mirë për t'i zgjidhur mospajtimet në një shoqëri të ngritur mbi themelet e dy etnive më të mëdha dhe bashkëjetesës ndërmjet tyre./i.v//a.ke/