Sistemi gjyqësor në Kosovë vazhdon të përballet me problemin e numrit të vogël të gjyqtarëve, gjë që po shkakton mos efikasitet në punë dhe grumbullim të madh të çështjeve, të cilat nuk po mund të zgjidhen.

Udhëheqësit e Këshillit Gjyqësor të Kosovës, por edhe të Gjykatës Themelore të Prishtinës, thonë se numri i vogël i gjyqtarëve vazhdon të jetë problem në zgjidhjen e dhjetëra mijëra çështjeve të vjetra dhe kryerjes së punës me efikasitet. Madje, sipas tyre që nga paslufta vetëm sa është eksperimentuar me Gjykatat, por asnjëherë nuk është menduar për një strategji të mirëfilltë.

Kryetari i Këshillit Gjyqësor të Kosovës, Enver Peci thotë për KosovaPress se vazhdimisht janë duke u përballur me probleme për shkak të numrit të vogël të gjyqtarëve, çka edhe ka shkaktuar rriten e numrit të lëndëve, si dhe mos efikasitet në punë.

"Ne në vazhdimësi kemi pasur problem me numrin e gjyqtarëve. Në fakt prej vitit 2000 deri në vitin 2010 numri i gjyqtarëve jo që është plotësuar, por është rritur, ndërsa numri i rasteve është ngritur në Gjykata. Në vitin 2010 ka ndodhur ai emërimi dhe riemërimi i të gjithë gjyqtarëve dhe për fat të keq nuk kemi pasur kandidatë të mjaftueshëm, që i plotësojnë kushtet për ta ushtruar funksionin e gjyqtarit dhe në atë kohë kemi mbetur mangut diku 130 gjyqtarë", tha Peci.

Aktualisht është duke u zhvilluar një konkurs për emërimin e 50 gjyqtarëve të rinj, por Peci shprehet skeptik se do të mund t'i emërojnë 50 gjyqtarë, pasi kanë probleme sa i përket aspektit profesional dhe dijes së kandidatëve që pretendojnë të bëhen gjyqtarë.

Problemin e madh me mungesën e gjyqtarëve, e thekson edhe Kryetari i Gjykatës Themelore në Prishtinë, Hami Ibrahimi, i cili thotë se veçanërisht gjykatat në Prishtinë, kanë qenë të ngarkuara me numër të madh të çështjeve, ku numri i vogël i gjyqtarëve ka qenë gjithmonë problem, i cili ka stagnuar punën e tyre.

Në Gjykatën Themelore në Prishtinë kanë mbetur pezull rreth 300 mijë çështje, ndërsa, kjo Gjykatë deri më tani ka operuar me 74 gjyqtarë, kurse në konkursin e fundit pritet t'i shtohen edhe 25 gjyqtarë të rinj.

ATSH