PRISHTINË, 27 Shkurt/ATSH/.- Kryeministri i Republikës së Kosovës, Isa Mustafa, mori pjesë sot në takimin me përfaqësuesit e bizneseve, me temën "Dialogu për politika ekonomike".
"Në këtë takim po fillojmë bashkërisht dialogun me bizneset për politikat ekonomike të Kosovës", tha ai.
Sipas tij, "në fokus janë pengesat që vështirësojnë themelimin e bizneseve të reja apo ato me të cilat ballafaqohen aktualisht bizneset në përditshmërinë e tyre".
"Gjithashtu synohet të propozohen ndryshimet e nevojshme ligjore, për të lehtësuar bërjen e biznesit, për të krijuar një konkurrencë të mirëfilltë, pa marrë parasysh madhësinë e bizneseve, fuqinë e tyre ekonomike ose fushat apo degët në të cilat ato veprojnë", tha Mustafa.
"Qeveria e Republikës së Kosovës para dy ditësh ka aprovuar Programin Qeverisës ku ne kemi paraqitur vizionin për orientimin tonë zhvillimor në fusha të ndryshme, sidomos në atë të ekonomisë për katër vitet e ardhshme", theksoi ai./b.j//m.m/












