/ATSH/.- Komuna e Gjilanit, përkatësisht Zyra komunale për Integrime Evropiane, në bashkëpunim me Qendrën Kosovare për Diplomaci, organizoi sot një trajnim për nxënësit e shkollave të mesme dhe studentët, me qëllim që të pajisen me më shumë njohuri rreth migrimit ilegal dhe liberalizimit të vizave, që shënon edhe nisjen e "Javës së Evropës".
Zyrtari komunal për Integrime Evropiane, Burim Elezi, i cili e ka hapur zyrtarisht "Javën e Evropës", para nxënësve dhe studentëve tha se Gjilani që nga viti 2004 e ka marrë "Diplomën e Evropës" nga Këshilli i Evropës.
Por, tha ai, prej atëherë komuna "sikur pati rënë në gjumë dhe kësaj sfere nuk i është kushtuar shumë rëndësi nga të tjerët, por me kthimin e tij në Gjilan, Lutfi Haziri i ka vënë në prioritet proceset integruese".
Në këtë aktivitet folën edhe Selim Daku nga Qendra Kosovare për Diplomaci dhe Valdrin Halimi, kryetar i Këshillit të Veprimit Rinor Lokal.
Në kuadër të "Javës së Evropës", më 4 maj do të mbahet ligjëratë me nxënësit e shkollave të mesme nga Asociacioni Kosova Ansambël nga Franca me ligjërues Ilir Mustafën, më 5 maj do të mbahet një ligjëratë e njëjtë me shërbyesit civilë të Komunës së Gjilanit, ndërsa më 8 maj "Java e Evropës" përmbyllet me konferencën "Migrimi ilegal, liberalizimi", që do të mbahet në Universitetin "Kadri Zeka"./KosovaPress/