PRISHTINË, 28 Shkurt/ATSH-B.Jashari/.-Oda Ekonomike e Kosovës ka identifikuar vështirësitë e bizneseve kosovare. Studimi mbi identifikimin e vështirësive të të bërit biznes, të cilat janë të pranishme midis kompanive kosovare i hartuar nga Oda Ekonomike e Kosovës me perkrahje të GIZ-it ka treguar si më të rëndësishme pengesat e cilësuara si faktorë të jashtëm - mjedisin ekonomik, kushtet administrative, rregullatore dhe infrastrukturën e vendit, njëkohesisht edhe faktorë të brendshëm, kryesisht çështje menaxheriale dhe operacionale brenda firmës.
Duke prezantuar studimin Safet Gërxhaliu, kryetar i Odës Ekonomike tha se studimi ishte dizajnuar në mënyrë që të identifikonte dhe artikulonte këto pengesa në komunitetin e biznesit të Kosovës.
" OEK-u, si partner kryesor i këtij komuniteti, do t'i prezantojë këto të dhëna qeverisë së Kosovës në mënyrë që së bashku të mundësojnë përmirësimin e klimës së biznesit si për investitorët e jashtëm, ashtu edhe për kompanitë vendore. Si rezultat, studimi përfshin një numër rekomandimesh, të cilat adresojnë pengesat kryesore të jashtme dhe të brendshme, duke mundësuar kështu krijimin e një mjedisi më të favorshëm për kompanitë përgjatë veprimtarisë së tyre", tha Gërxhaliu.
Studimi pasqyron të dhëna se për pjesën më të madhe të kompanive çmimi i energjisë elektrike 57%, furnizimi me energji elektrike 54% dhe kostot e kredive financiare 38%, shihen si pengesat më kryesore të jashtme.
Jostabiliteti politik dhe korrupsioni sipas rezultateve të studimit ka ndikuar 36%, repsektivisht 35% të të anketuarve. Vështirësitë brenda firmës apo të brendshme janë më pak të dalluara.
Oda Ekonomike thekson se prioritet i këtij studimi nuk ka qenë gjeneralizimi problemeve për të gjitha kompanitë duke marrë parasysh shkallën dhe llojin e veprimtarisë së tyre.
Rezultatet tregojnë se kompanitë e sektorit të tregut me shumicë hasin në më shumë pengesa të brendshme në krahasim me atë të sektorit të ndërtimeve.
Po ashtu, kompanitë më të mëdha hasin në më shumë probleme të brendshme se sa mikro kompanitë apo kompanitë e vogla të cilat raportuan më pak veshteresi. Në studim theksohet nevoja/mungesa e një biznes plani për të gjitha kompanitë pa dallim sektori/madhësie.
Si rrjedhojë e këtij studimi, Oda Ekonomike e Kosovës do të ofrojë ndihmë në shkallë vendi për përgatitjen e një plani biznesor të kompanive në nevojë.
"Ne jemi të bindur se kompanitë do ta shfrytëzojnë këtë iniciativë në të mirë të tyre duke sjell kështu dobi në tejkalimin e kësaj pengese", tha Gërxhaliu.
Studimi tregon se 50% e kompanive të anketuara paralajmërojnë rritje të të hyrave në vitin 2015 shoqëruar me një rritje prej 40% të investimeve në po të njëjtin vit.
Sa i përket pyetjeve mbi dinamikën ekonomike, 75% e kompanive të anketuara kanë rezultuar në një shtim të klientelës në vitin 2014, gjë që flet per ekonominë dinamike të Kosovës në përgjithësi.
Në disa raste numri jo i mjaftueshëm i konsumatorëve, 24% paraqet njërën nga vështirësitë e brendshme më të dalluara.
Ambasadori i Mbretërisë së Holandës në Kosovë, Robert Bosch ka vleresuar lartë punën e bërë në identifikimin e pengesave me të cilat ballafaqohen bizneset kosovare si bazë për zgjidhjen e problemeve në të berit biznes. Zëvendësambasadori i Gjermanisë në Kosovë, Mathias Kiesler, ka theksuar rëndësinë e zgjidhjes së problemit të çmimit dhe furnizimit me energji elektrike si një brengë dhe pengesë afatgjatë për zhvillimin ekonomik të Kosovës.
Oda Ekonomike e Kosovës thekson se ka përpunuar dhe implementuar këtë studim në bashkëpunim me GIZ duke ofruar kështu ndihmë financiare dhe Institutin IFO si bashkëpjesëmarrës në artikulimin e këtij studimi me ndihmën e ekspertëve të ETH Zurich.
Si formë e përgatitjes së studimit janë kryer intervista personale, në 427 kompani, mes datave 1 e 12 dhjetor 2014./k.s/