Pas më shumë se 27 vitesh nga zhdukja e tyre gjatë luftës në Kosovë, janë identifikuar edhe tre persona të tjerë nga i njohuri si “Grupi i Intelektualëve”, të cilët ishin rrëmbyer nga forcat serbe në prillin e vitit 1999. Identifikimi është bërë përmes analizave të ADN-së, pas ekzaminimit të mbetjeve mortore të zhvarrosura në Kalludër dhe Jabukë.

Lajmin e ka bërë të ditur kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, i cili njoftoi se Komisioni Qeveritar për Persona të Zhdukur ka pranuar raporte të reja të ADN-së, mbi bazën e të cilave janë identifikuar Adem (Fazli) Ademi, Fatmir (Bajram) Fazliu dhe Ali (Islam) Haliti.

Sipas njoftimit Komisioni në bashkëpunim me institucionet përkatëse, ka informuar tashmë familjet e tre intelektualëve dhe veprimtarëve të çështjes kombëtare, të cilët u rrëmbyen dhe u zhdukën me dhunë nga forcat e armatosura serbe në prill të vitit 1999.

Rasti lidhet me “Grupin e Intelektualëve”, pjesëtarët e të cilit u zhdukën më 19 prill 1999. Bëhet fjalë për shqiptarë kryesisht nga rajoni i Skenderajt dhe Mitrovicës, të cilët u rrëmbyen gjatë luftës. Në fund të korrikut dhe gjatë gushtit 2026, në Kalludër dhe Jabukë të komunës së Zubin-Potokut u zhvilluan gërmime për gjetjen e mbetjeve mortore, ku u zbuluan eshtrat e 23 personave. Identifikimet po kryhen përmes analizave të ADN-së.

Njoftimi i Albin Kurtit:

Pas identifikimeve të para nga mbetjet mortore të zhvarrosura në Kalludër dhe Jabukë, nga Komisioni Qeveritar për Persona të Zhdukur u informova se janë pranuar raporte të reja të ADN-së, mbi bazën e të cilave janë identifikuar Adem (Fazli) Ademi, Fatmir (Bajram) Fazliu, dhe Ali (Islam) Haliti, pjesë e Grupit të Intelektualëve.

Komisioni, bashkë me institucionet tjera përkatëse, tashmë i ka informuar familjet e tre intelektualëve dhe veprimtarëve të njohur të çështjes kombëtare, të cilët në prillin e vitit 1999 u rrëmbyen nga forcat e armatosura serbe dhe u zhdukën me dhunë. Ndajmë dhimbjen me familjet dhe u shprehim ngushëllimet më të sinqerta.

Zbardhja e fatit të të zhdukurve me dhunë është prioritet i Qeverisë së Republikës së Kosovës, bashkë me kërkesën dhe angazhimin për drejtësi për krimet e kryera nga Serbia gjatë luftës, të cilat vazhdon t’i mohojë e t’i fshehë, teksa klasifikon e mbyllë dokumentet e arkivat, dhe glorifikon autorët e gjenocidit.