Një efektiv është plagosur me armën e shërbimit pasditen e kësaj të marte në Bazën Ajrore të Kuçovës. Ngjarja ka ndodhur rreth orës 16:46, ndërsa efektivi me inicialet E. D. ka marrë një plagë në shpatull.
Sipas Ministrisë së Mbrojtjes, efektivit i është dhënë menjëherë ndihma e parë dhe më pas është transportuar në Spitalin Rajonal të Beratit.
Mjekët kanë konstatuar se parametrat e tij jetësorë janë brenda normës dhe se ndodhet jashtë rrezikut për jetën.
Për trajtim më të specializuar, efektivi është nisur drejt Spitalit Universitar të Traumës në Tiranë.
Ndërkohë, Policia Ushtarake ka mbërritur në vendngjarje dhe po kryen veprimet e nevojshme për të zbardhur shkaqet dhe rrethanat e plagosjes.
Njoftimi i plotë
Ministria e Mbrojtjes informon se, më datë 3 nëntor 2026, rreth orës 16:46, gjatë kryerjes së shërbimit në Bazën Ajrore të Kuçovës, efektivi E.D është plagosur në shpatull me armën e shërbimit.
Menjëherë pas ngjarjes, efektivit iu dha ndihma e parë mjekësore dhe u transportua në Spitalin Rajonal të Beratit.
Sipas vlerësimit të mjekëve, parametrat jetësorë janë brenda normës dhe ai ndodhet jashtë rrezikut për jetën.
Efektivi është nisur drejt Spitalit Universitar të Traumës në Tiranë, për të vijuar trajtimin mjekësor të specializuar.
Policia Ushtarake ndodhet në vendngjarje dhe po vijon procedurat për dokumentimin dhe zbardhjen e plotë të shkaqeve dhe rrethanave të ngjarjes.
Ministria e Mbrojtjes po ndjek nga afër situatën dhe gjendjen shëndetësore të efektivit, të cilit i uron shërim të shpejtë.





Komente
Komento