Në takimin e rregullt të mbajtur sot të Kryetarit të PDK-së,. Hashim Thaçi, me kryetarët e degëve të Partisë Demokratike të Kosovës, u rikonfirmua gatishmëria e plotë për themelimin e institucioneve shtetërore, në pajtueshmëri me rezultatin zgjedhor, legjitimitetin qytetar dhe vendimet përkatëse të Gjykatës Kushtetuese.
Në deklaratën e dërguar pas takimit, theksohet se, "për Partinë Demokratike të Kosovës është e papranueshme qasja e atyre që po tentojnë me çdo mjet dhe në mënyre kundërkushtetuese, joinstitucionale dhe jodemokratike, të tjetërsojnë rezultatin zgjedhor dhe të mbajnë peng shtetin, duke bllokuar themelimin e institucioneve demokratike".
Partia Demokratike e Kosovës siguron anëtarët dhe simpatizantët e vet, si dhe opinionin e gjerë, se në asnjë mënyrë nuk do të heqe dorë nga besimi që ka marrë për të qeverisur vendin nëpërmjet votës së lirë në  zgjedhjet e lira dhe demokratike./ATSH/