PRISHTINË, 26 Nëntor /ATSH/.- Në Prishtinë u përurua sot godina e re e Ministrisë së Forcave të Sigurisë së Kosovës.
Ministri i Forcave të Sigurisë së Kosovës, Agim Çeku, tha se "sot po festojmë një ngjarje shumë të rëndësishme, e cila është e veçantë për të gjithë ne. Jemi të gëzuar pasi kemi punuar me shumë se 15 vite në kushte jo të pështatshme dhe tani na janë ofruar kushte të shkëlqyeshme për punë dhe hapësira të mjaftueshme".
"Të nderuar zyrtarë të ministrisë, shërbyes civilë dhe ushtarakë jam i sigurtë që ju do të ndiheni mirë duke punuar në këtë ndërtesë në vitet në vijim për më shumë duke pasur një ndërtesë moderne të planifikuar dhe të organizuar mirë do të keni më shumë mundësi të përqëndroheni më lehtë në detyrat tuaja, që do t'i kryeni dhe ato me më shumë sukses", u shpreh Çeku.
Ai falënderoi të gjithë ata që punuan, bashkëpunuan dhe ndihmuan në ndërtimin e këtij objekti.
Ndërsa, Fadil Kryeziu, tha se "ofrimi i shërbimeve menaxhues të inxhinierisë dhe të ndërtimit të institucioneve të Kosovës është një prej prioriteteve të Administratës Publike.
Sipas tij, në kuadër të përrgjegjësisë që kanë vëmendje i është kushtuar gjitha institucioneve të Kosovës dhe në veçanti objektit të Ministrisë së Forcës së Sigurisë së Kosovës".
Ky objekt i ka kushtuar buxhetit të Kosovës rreth 5 milionë euro./KosovaPress/k.s/









